Procedura e prokurimit publik për ndërtimin e bypassit të Sarandës është mbyllur pa ankesa për dokumentet e tenderit, duke i hapur rrugë shqyrtimit të ofertave dhe përzgjedhjes së kompanisë që do të kryejë punimet. Tenderi me fond limit 2 mld lekë u hap në muajin korrik dhe përfshin fazën e parë të projektit, ndërkohë që për përfundimin e plotë të rrugës do të nevojitet edhe një procedurë e dytë që parashikohet të ketë një fond limit prej 833 mln lekësh.
Përfundimi i këtij projekt rrugor pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve në hyrje dhe dalje të qytetit të Sarandës, sidomos gjatë sezonit turistik. Studimi i trafikut i zhvilluar nga konsulentët tregon se gjatë periudhës së verës, në hyrje dhe dalje të qytetit qarkullojnë mesatarisht rreth 25 000 automjete në ditë, duke e kthyer Qafën e Gjashtës në një pikë problematike në drejtim të qarkullimit të automjeteve. Ndërkohë që, analiza përfundimtare konfirmon se ndërtimi i këtij aksi do të zgjidhë problemet e trafikut në qytet, duke shmangur radhët e gjata dhe bllokimet e zakonshme në sezonin turistik, si për banorët, ashtu edhe për mijëra vizitorë që frekuentojnë Sarandën çdo vit.
Referuar projektit, rruga do ketë gjatësi rreth 3.5 km dhe shtrihet në një terren kodrinor deri pranë lumit të Bistricës, ku është parashikuar ndërtimi i një ure rreth 70 metra të gjatë. Më tej, rruga vazhdon në terren fushor dhe përfundon me një tjetër nyje në aksin nacional Kardhiq–Delvinë.
Rruga do të ketë shpejtësi të lejuar 60 km/orë, ndërsa do jetë e kategorisë interurbane C2, me nga një korsi 3.5 metra dhe bankina sigurie në të dyja anët.