HomeKryesoreDaljet në pension, tri mundësitë që ofrohen për sigurimin vullnetar

Daljet në pension, tri mundësitë që ofrohen për sigurimin vullnetar

Advertismentspot_img


Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç e deri në arritjen e moshës për pension pleqërie kanë sot një mundësi të rëndësishme për të garantuar një të ardhme më të sigurt: sigurimet vullnetare

Ky mekanizëm i mundëson çdo individi që nuk është i përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm, të kontribuojë në mënyrë të pavarur për të siguruar të drejtën për pension, si dhe për të përmirësuar përfitimet e ardhshme.

KATEGORITË PËRFITUESE

Sigurimi vullnetar është një instrument që u jep mundësi qytetarëve të sigurojnë periudha të punës që nuk janë të mbuluara me sigurim të detyrueshëm. Ky sigurim mbulon kryesisht pensionin e pleqërisë, por gjithashtu kontribuon edhe në përfitimin e pensionit të invaliditetit dhe atij familjar, duke ndihmuar kështu jo vetëm individin, por edhe familjen e tij në rast nevoje. Ky opsion u ofron mundësinë qytetarëve që nuk bëjnë pjesë në sigurimin e detyrueshëm të paguajnë kontributet për vitin aktual.

Pagesat mund të kryhen në mënyrë mujore, tremujore ose vjetore, duke i dhënë fleksibilitet individit sipas mundësive financiare. Për më tepër, ISSH ka parashikuar edhe zbritje në masën e kontributeve për pagesat e parapaguara: 6 për qind ulje për pagesat vjetore, nëse kryhen brenda muajit janar; 3 per qind ulje për pagesat 6- mujore, nëse kryhen përpara fillimit të periudhës përkatëse si dhe 1.5 për qind ulje për pagesat tremujore, po me të njëjtin kusht. Kjo nxit qytetarët të planifikojnë më mirë financat e tyre, duke përfituar edhe lehtësi ekonomike.

Një nga përfitimet më të rëndësishme është mundësia për të plotësuar periudhat e pambuluara nga sigurimi i detyrueshëm. Kjo është veçanërisht e vlefshme për ata persona që kanë pasur ndërprerje pune, kanë qenë të papunë për periudha të caktuara, ose kanë punuar në kushte informale.

Duke paguar sigurim vullnetar për këto vite të humbura, individi garanton që këto periudha të njihen për efekt pensioni, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e vjetërsisë në punë dhe përfitimin e një pensioni më të plotë. Ky opsion i drejtohet personave të punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësve privatë që dëshirojnë të kenë një pension më të lartë në të ardhmen. Ata mund të kontribuojnë vullnetarisht mbi pagën e deklaruar, duke rritur bazën e llogaritjes së pensionit. Ky është një hap strategjik për të gjithë ata që mendojnë për standardin e jetesës në moshën e tretë, pasi një pension më i lartë nënkupton më shumë siguri ekonomike.

KOSTOJA E SIGURIMIT

Aktualisht, kuota mujore e sigurimit vullnetar është 8,640 lekë, ndërsa kuota vjetore arrin në 103,680 lekë. Pagesat kryhen përmes një marrëveshjeje me punonjësit e ngarkuar të ISSH-së dhe mund të realizohen me shumë fleksibilitet, duke lehtësuar procedurat për qytetarët. Kush nuk mund të sigurohet vullnetarisht? Ligji parashikon disa përjashtime. Nuk mund të kryejnë sigurim vullnetar: Personat që kanë fituar tashmë të drejtën për një përfitim nga skema e sigurimit të detyruar si dhe të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët përfitojnë subvencione nga buxheti i shtetit. Sigurimi vullnetar është një investim për të ardhmen. Ai siguron që vitet e punës të mos humbasin, edhe kur ka pasur ndërprerje, dhe ofron mundësi për të ndikuar në nivelin e pensionit përmes kontributeve shtesë. Në një kohë kur stabiliteti financiar në moshën e tretë është sfidë për shumë individë, kjo formë sigurimi kthehet në një garanci për jetesë dinjitoze.

TRI MUNDËSITE PËR SIGURUESIT

6% ulje mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar).

3% ulje mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

1,5% ulje mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular