HomeKryesoreEkskluzive/PD pas 11 majit?! Bujar Leskaj: Ndryshimi është domosdoshmëri dhe progres. Të...

Ekskluzive/PD pas 11 majit?! Bujar Leskaj: Ndryshimi është domosdoshmëri dhe progres. Të dorëhiqen drejtuesit politikë dhe rikthehet meritokracia

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Bujar Leskaj

Zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk sollën legjitimitet për qeverisjen e vendit. Përkundrazi, e minuan akoma dhe më shumë atë. Ato thelluan bindjen tek qytetarët se procesi zgjedhor në Shqipëri mbetet i kapur dhe i manipuluar nga sekti në pushtet. Në vend të rikthimit të besimit tek kutia e votimit, qytetarët panë edhe një herë se demokracia nën sundimin e Ramës funksionon thjesht si një fasadë, ku rezultati nuk është pasojë e votës së lirë, por e kontrollit të pushtetit nga autokrati në pushtet.

Zgjedhjet e 11 majit shënuan një nga momentet më të qarta të regresit demokratik në vend, duke treguar se pa një reformë të vërtetë zgjedhore, pa garantimin e barazisë së aktorëve politikë dhe pa funksionimin e institucioneve të pavarura, çdo palë zgjedhje mbetet thjesht një farsë politike dhe vjedhje votash.

Për të siguruar në zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë rikthimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira, Partia Demokratike duhet të punojë çdo ditë sot, me bindje dhe përkushtim paralelisht në dy fronte, me qytetarët dhe me simpatizuesit e saj, me forca dhe mendim politik në veprime konkrete të shpërndara në kohë të barabartë (50 përqind me 50 përqind) në:

  1. Vijimin e denoncimit të farsës zgjedhore dhe manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit nga sekti Rama, por edhe të të gjitha abuzimeve skandaloze 12 vjeçare të keq qeverisjes së tij.
  2. Përcjellja e alternativës së PD-së shoqëruar me riorganizmin e saj.

*  * *

  1. Vijimin e denoncimit të farsës zgjedhore dhe manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit nga sekti Rama, por edhe të të gjitha abuzimeve skandaloze 12 vjeçare të keq qeverisjes së tij.

I.1. Denoncimi i farsës zgjedhore

Denoncimi i farsës së 11 majit 2025 është një çështje kardinale e demokracisë në Shqipëri dhe një problem kombëtar. Kur zgjedhjet kthehen në një ritual të paracaktuar, qytetarët humbasin shpresën, demokracia zhbëhet dhe shteti shndërrohet në një mekanizëm kontrolli, jo përfaqësimi. Pa garë të ndershme, pa institucione të pavarura dhe pa transparencë, vendi rrezikon të mbetet një demokraci formale, ku kutia e votimit nuk është instrument i sovranitetit popullor, por fasadë e pushtetit.

Kryetari i PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha po e realizon shumë mirë përditë këtë çjerrje të maskës së rregjimit, duke sjellë prova të pakontestueshme me video dhe audio, të manipulimeve dhe vjedhjeve të votës. Atij, po i bashkohet në procesin denoncues e gjithë Partia Demokratike, me institucionet e saj.

Zgjedhjet e 11 majit 2025, të paraqitura nga qeveria si një shembull i funksionimit të demokracisë, në fakt u shndërruan në një shembull të gjallë të degradimit të standardeve demokratike. Procesi u denoncua nga opozita, shoqëria civile dhe zëra të pavarur si një farsë zgjedhore e manipuluar, ku vota e qytetarëve u përdor më shumë si dekor legjitimiteti, sesa si mjet i sovranitetit popullor.

Zgjedhjet nuk ofruan një garë të barabartë. Kandidatët e opozitës u përballën me pengesa administrative, presione dhe shpesh me përjashtime të padrejta nga procesi. Përdorimi i burimeve publike, i punonjësve të administratës dhe makinerisë shtetërore në favor të kandidaturave të sektit Rama, e deformoi që në nisje garën zgjedhore.

Fushata u shënua nga shkeljet flagrante të kodit zgjedhor, përdorimi abuziv i resurseve publike, presioni ndaj punonjësve të administratës dhe përfituesve të skemave të ndihmës ekonomike përmes patronazhimit dhe shantazhit të gjithanshëm ndaj opozitës. Këto elementë e kthyen procesin nga një garë e lirë, në një farsë të kontrolluar nga pushteti. Pjesëmarrja e ulët në votime ishte një mesazh i qartë i mosbesimit qytetar. Shumë shqiptarë refuzuan të bëhen pjesë e një procesi që e konsideronin të paracaktuar dhe të manipuluar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe strukturat e tjera që duhet të garantonin paanshmërinë, u denoncuan me të drejtë për qëndrime të njëanshme. Shumë ankesa të opozitës u injoruan dhe po injorohen, ndërsa shkeljet flagrante mbetën dhe po mbeten pa ndëshkim.

Shqipëria u shfaq qartë si një vend ku zgjedhjet nuk janë instrument i ndryshimit politik, por i riprodhimit të pushtetit ekzistues. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it e vërteton këtë.

I.2. Denoncimi i korrupsionit 12 vjeçar të keq qeverisjes së Ramës dhe më gjerë të tranzicionit të stërgjatur

Partia Demokratike nuk duhet të pushojë se denoncuari qoftë dhe një ditë të vetme abuzimet skandaloze të qeverisë Rama me (i) koncesionet publike, me (ii) gjoja investuesit strategjikë, (iii) pronat publike, me (iv) financat publike dhe (v) pasuritë kombëtare (skandalet dhe abuzimet në AlbPetrol, Bankers, etj.). 

Që prej vitit 2013, kur Edi Rama mori pushtetin, korrupsioni në Shqipëri ka marrë një dimension sistemik, duke u kthyer në tipar të pandashëm të qeverisjes. Pas 12 vitesh, bilanci i këtij pushteti nuk matet më thjesht me skandale të përkohshme, por me ndërtimin e një modeli ku korrupsioni është bërë mekanizëm sundimi, mjet pasurimidhe formë kontrolli politik. Ky model bazohet në gjashtë shtylla korruptive:

A. Kapja e institucioneve

Gjatë këtyre 12 viteve në pushtet, institucionet e pavarura që duhej të kontrollonin qeverinë u nënshtruan. Parlamenti u shndërrua në zgjatim dhe noter të ekzekutivit, gjykatat u përdorën për të legjitimuar vendimet e qeverisëm, organet e pavarura kushtetuese dhe jo kushtetuese janë tërësisht të varurar nga sekti në pushtet. Kjo kapje institucionale i krijoi Ramës terrenin për një korrupsion të padënuar.

B. Koncesionet dhe PPP-të – skema më e madhe e abuzimit

Një nga format më të rënda të korrupsionit ka qenë përdorimi i kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private (PPP). Nga inceneratorët tek rrugët dhe shërbimet spitalore, këto kontrata janë shpesh të mbivlerësuara financiarisht, pa studime të plota fizibiliteti dhe me fitues të paracaktuar. Rasti i inceneratorëve mbetet simbol i kësaj praktike, ku qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve përfunduan në duart e një rrjeti klientelist të Ramës.

C. Tenderat e manipuluar

Sipas raporteve të institucioneve ndërkombëtare, KLSH dhe organizatave të pavarura, pjesa më e madhe e tenderëve publikë gjatë këtyre 12 viteve janë zhvilluar me mungesë konkurrence reale. Skema e “ofertuesit të vetëm” në tender është kthyer në normë, duke garantuar që fondet publike të shpërndahen tek një grusht kompanish të lidhura me sektin në pushtet.

D. Urbanizimi dhe lejet e ndërtimit

Tirana, por edhe qytetet e tjera të mëdha, si Vlora, Durrësi, Saranda, Fieri, etj. janë shembujt më të dukshëm të korrupsionit urban. Lejet e ndërtimit u shpërndanë në mënyrë selektive, shpesh në shkëmbim të favoreve financiare dhe politike. Transformimi i kryeqytetit, por edhe i qyteteve kryesore, sidomos atyre bregdetarë, i shfaqur si sukses modernizues, ka pasur si bazë një treg të deformuar ndërtimi, ku interesat klienteliste kanë mposhtur dhe përgjumur interesin publik. Procesi i kullëzimit të Tiranës është dëshmi konkrete e pstrimit të parave të pista në Shqipëri.

E. Korrupsioni elektoral

Në çdo palë zgjedhje, akuzat për blerje votash, përdorim të fondeve publike dhe presion ndaj administratës kanë qenë të pranishme. Skandali i “Dosjes 184” dhe “Dosjes 339”, ku u dokumentuan lidhje mes strukturave të pushtetit dhe elementëve kriminalë për manipulim elektoral, është tregues i qartë se ku mbështetet “fitorja” e Ramës në zgjedhje.

F. Korrupsioni dhe krimi i organizuar

12 vitet e Ramës kanë parë edhe ngushtimin e kufirit mes pushtetit dhe botës së krimit. Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar rritjen e ndikimit të grupeve kriminale në ekonomi dhe politikë, shpesh përmes lidhjeve me administratën dhe financimin e fushatave zgjedhore, duke merituar tërësisht emërtimin Ramaduro.

  1. Përcjellja e alternativës së PD-së shoqëruar me riorganizmin e saj.

II.1. Programi i PD-së: jo një motorr i ndalur pas 11 majit!

Pas 11 majit, PD nuk mjafton të jetë thjesht parti proteste, por duhet të paraqitet si forca e vetme politike që ofron një model tjetër drejtimi të shtetit.

Pas 11 majit 2025, qytetarët nuk duan vetëm dëshmi të farsës zgjedhore. Ata i panë vetë shumë nga këto dëshmi. Ajo që kërkojnë qytetarët është një opozitë me alternativa të qarta, një vizion për një shtet të së drejtës, një ekonomi që mbështetet në shfrytëzimin e drejtë të jo korruptiv të burimeve natyrore, politika të ndershme fiskale dhe një demokraci funksionale. Nëse PD arrin ta artikulojë këtë alternativë në mënyrë intensive në kohë dhe hapërisë, mund të shndërrohet në boshtin e ndryshimit që kërkon vendi.

Partia Demokratike duhet te angazhohet në gjysmën e kohës dhe të mjeteve dhe forcave të saj, për të shfaqur përditë përpara qytetarëve alternativën e saj të qeverisjes, mbi bazën e premtimeve-projekte të programit elektoral të saj. Ky program nuk mund dhe nuk duhet të mos përmendet më, sikur të ishte vetëm një serbator karburanti për garë elektorale.

Ai është dhe duhet të ngelet modeli ynë qeverisës, kredo-ja jonë, mbi bazën e të cilit qytetarët do të na besojnë dhe do të mbështesin propozimet tona.

Për çdo problem me të cilin përballet përditë qytetari, ne duhet të japim alternativën tonë. Për shembull, si do ta kishim përballuar ne emergjencën e zjarreve në verë. Ç’do të kishim bërë për t’i siguruar vendit një flotë të dedikuar ajrore për emergjencat natyrore, e kështu me rradhë, duke nisur nga më kryesoret, ndarjen e re territoriale, taksën e sheshtë, përcaktimin e minimumit jetik, dyfishimin e pensioeve, etj, etj.

Sigurisht që alternativa e PD-së duhet dhe do të mbështetet mbi ekspozimin e qartë të pasojave të korrupsionit të qeverisë se sektit Rama: shkatërrimi i konkurrencës së ndershme, deformimi i tregut, pasurimi i një pakice dhe varfërimi i shumicës. Vetëm duke treguar rrugën se si do të prishen këto skema dhe si do të funksionojë ndryshe shteti, si ne do ti korrigjojmë përfitmet e padrejta të oligarkëve (pa dallime) dhe pseudo investitorëve strategjik etj, Partia Demokratike do të fitojë besueshmëri tek qytetarët dhe do të realizojë më shpejtë në kohë objektivin e saj parësor për tani: mosnjohjen e farsës zgjedhore dhe realizmin e zgjedhjeve të parakohshme.

II.2. Ndryshim rrënjësor organizativ dhe në politikëbërje

Ndryshimi i strukturave organizative dhe i drejtuesve të PD-së paraqitet sot si domosdoshmëri dhe progres. Ai nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri. Ky ndryshim nuk duhet parë si një akt formal, por si një proces i thellë rinovimi, që sjell progres për partinë dhe shoqërinë.

Ai duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve.

Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati. Madje dhe kohëzgjatjen e mandatit të deputetëve drejtues të listave të mbyllura duhet ta diskutojmë. I njëjti proces duhet të jetë dhe për drejtuesit e Partisë dhe të grupit dhe komisioneve parlamentare. Drejtuesit e qarqeve që fituan në këto zgjedhje, që i rezistuan fort dhe me rezultat regjimit të Ramës dhe deputetët fitues nga listat e hapura duhet të jeën në ekipin e ri drejtues të grupit dhe komisioneve parlamentare. Cdo deputet fitues në këto zgjedhje të vështira duhet të vlerësohet më tej nga Kryetari i Partisë dhe nga gjithë grupi parlamentar.

Ndryshimi përmes riorganizimit të Partisë Demokratike duhet të ndodhë sa më shpejt dhe në çdo nivel të saj, duke riorganizuar degët e saj dhe krijuar nëndegët, në bazë të variantit që ne kemi paraqitur për reformën e re territoriale, duke përfshirë sa më shumë intelektualë, të rinj, ish të përndjekur politikë, etj. Riorganizimi i PD-së nuk duhet të kufizohet vetëm në emra të rinj në drejtim, por duhet të përfshijë demokratizimin e brendshëm të saj, rikthimin e meritokracisë, promovimin e figurave të reja intelektuale, të lidhura me bazën qytetare. Kandidatët për deputet në listat e hapura që garuan fort dhe me dinjitet duhet të përfshihen tërësisht në drejtimin e partisë në rrethe dhe qendër, krahas drejtuesve partiakë që punuan me përkushtim.

Një parti që kërkon të rikthehet në pushtet duhet të ofrojë lidership të besueshëm dhe me rezultate pozitive në zgjedhje. Ndryshimi i drejtuesve të qarqeve, të partisë dhe grupit  parlamentar do të jetë dëshmi e fortë për shoqërinë shqiptare se PD është një forcë që reflekton, rinovohet dhe synon fitoren në zgjedhje. Ky ndryshim i realizuar përmes një procesi të drejtë dhe transparent, mbështetur në rezultatet e tre zgjedhjeve të fundit parlamentare (2017, 2021, 2025) do të hap rrugën për figura të reja me vizion, integritet dhe energji të re, të cilët natyrisht do të bashkëpunojnë dhe me ish-drejtuesit e PD-së. Në Partinë Demokratike asnjë nuk është i tepërt dhe nuk e kemi luksin të humbasim asnjë.

* * *

Pas farsës zgjedhore të 11 majit 2025, Partia Demokratike dhe Kryetari i saj, Prof dr. Sali Berisha, kanë detyrimin historik të rikthehen si alternativë qeverisëse e besueshme. Vetëm përmes një platforme të qartë reformuese, bashkimit të brendshëm dhe guximit dhe energjisë për t’u ofruar shqiptarëve një model të ndryshëm qeverisjeje, PD mund të thyejë agresionin e Ramës (për tentativat korruptive të Ramës me qëllim shkatërrimin e PD-së, do të shprehem në një tjetër shkrim), të trokasë dhe zgjojë në murin e apatisë qytetare dhe të ndërtojë rrugën drejt rotacionit politik, aq të dëshirueshme për të gjithë shqiptarët.

V.O. Përpara një viti në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, sugjerova për drejtuesite  PD-së, që të përgatisin një analizë SOT, për Partinë Demokratike. Sot më shumë se kurrë nevojitet një analizë e tillë në shërbim të ndryshimit, i cili është domosdoshmëri dhe progres.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular