Me 73 vota pro, Dimal Basha u zgjodh sot kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, pas 57 seancave të dështuara radhazi, që e futën vendin në ngërç institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kandidatura e Bashës ishte e pesta e propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe ndryshe nga katër të mëparshmit arriti të marrë vota edhe nga partitë opozitare, PDK, AAK dhe LDK.
Në fjalimin e tij të parë nga foltorja si kryetar i Kuvendit, Basha nënvizoi se ky institucion është zemra e demokracisë. Pasi falënderoi edhe kundërshtarët për besimin me votë, ai i ftoi që të punojnë në të mirë të vendit pasi siç tha: “Kosovën e kemi bashkë”.
“Ky institucion është zemra e demokracisë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica se liria e shtetit, janë më të mëdha se çdo interes. Është e ndërtuar mbi sakrifica, mundin, gjakun e qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se e ardhmja tyre. Një përulje u takon grave, nënave, tona që ofruan dashni e përkushtim, ishin e mbeten themeli i një shoqërie të shëndoshë”, tha Basha.
Duke tentuar të bëhet unifikues, Basha renditi disa shembuj për të treguar se shqiptarët kanë ditur të bëhen bashkë për të mirën e vendit.
“Bëj thirrje për bashkëpunim e unifikim, në qastet më të vështira populli ka treguar se di të lë anash dallimet për kauza të përbashkëta. Ne kemi Skënderbeun, kemi shembullin e presidentit Rugova që me vizionin e tij dinte të tejkalonte veten. Ky popull u bashkua rreth UÇK-së dhe komandantit të saj Adem Jashari për t’i dale ballë padrejtësive dhe gjenocidit nga regjimi fashist i Millosheviqit. Lufta e Adem Jasharit dhe UÇK-së ishte luftë për liri, edhe sot UÇK-ja ka qenë dhe mbetet e shenjtë në zemrat e atyre që e duan lirinë. Shumica prej nesh dallojmë me parti, por çka secili pret, është që të jemi bashkuar në objektiva si zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit, dhe mbrojtja e sovranitetit”, tha ai.