Nga Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa
Hedhja për diskutim e projektligjit për ndryshimet në bazën ligjore të organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore, është një mundësi që ekspertët e fushës të mund të ndajnë ide dhe mendime për një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme. Ajo është “kushtetuta” që rregullon mënyrën si ndërtohet e gjithë piramida institucionale e vendit dhe se si respektohen parimet e ndarjes së roleve midis njësive të ndryshme të qeverisjes qendrore.
Gjatë më shumë se tre dekada tranzicioni, në Shqipëri ka pasur një dinamikë mjaft të fortë institucionale, me krijime institucionesh të reja dhe riorganizime të shpeshta, të cilat madje kanë krijuar perceptimin e mungesës së stabilitetit institucional që është një shqetësim legjitim për shoqërinë dhe ekonominë. Pa iu nënshtruar ndonjë analize të mirëfilltë kosto/përfitim, janë krijuar agjenci pas agjencish, duke krijuar jo vetëm shpërdorim të lartë të parave (të pakta) të buxhetit tonë, por dhe mbivendosje autoritetesh e kompetencash. Pra, kemi shpenzuar para më shumë se sa duhet, dhe kemi krijuar agjenci që kanë rezultuar, në një masë të madhe, joefektive në përmbushjen e misionit të tyre ligjor. Edhe vetë ministritë vazhdojnë ta shikojnë rolin e tyre si zbatuese të politikave (bërje tenderash), kur në fakt roli i tyre duhet të kufizohet në bërje politikash dhe monitorim të zbatimit të tyre, ndërsa agjencitë e varësisë duhet të merren me zbatimin e politikave. Ndërsa institucionet e pavarura krijohen për të përmbushur një mision specifik, kur natyra e detyrave të saj kërkon një autoritet alternativ monitorues se sa thjesht qeverinë (të përfaqësuar nga ministria e linjës apo institucioni i Kryeministrit).
https://ad.doubleclick.net/ddm/adi/N571601.3431527GAZETATEMA/B33861980.426247466;dc_ver=106.314;dc_eid=40004001;sz=728×90;u_sd=1.5;nel=1;dc_adk=4248395737;ord=vreyzd;click0=https%3A%2F%2Ftrack.adform.net%2FC%2F%3Fbn%3D73199544%3Badfibeg%3D0%3Bcdata%3D-fxiMkK65gPjXh2CE4COEUAVTryd1WfOqCk-4WFVGCYSl4QdNJQdwXc_DQmfmeSwfx6II5lAR0ksbaN-4aEFhFuwp9OApXMzLzxK2K-7POxE2ZPFpVVM_nZaE5PxEbOItdegobUSYcU7-dG7eTQ1kz3UgpWNsz2i3B-x4X9zBqM_BWRFar1Z64khXWvcN1H0wDYsU1hI58GhaCub_thwPGHuoaXLH-s14UFuhV40q881%3B%3BCREFURL%3Dhttps%253a%252f%252fwww.gazetatema.net%252fblogu-tema%252freforma-institucionale-rrit-eficiencen-por-cenon-pavaresine-i514538%3BC%3D1%3Bcpdir%3D;uach=WyJXaW5kb3dzIiwiMTkuMC4wIiwieDg2IiwiIiwiMTM5LjAuNzI1OC4xMzkiLG51bGwsMCxudWxsLCI2NCIsW1siTm90O0E9QnJhbmQiLCI5OS4wLjAuMCJdLFsiR29vZ2xlIENocm9tZSIsIjEzOS4wLjcyNTguMTM5Il0sWyJDaHJvbWl1bSIsIjEzOS4wLjcyNTguMTM5Il1dLDBd;dc_rfl=0,https%3A%2F%2Fwww.gazetatema.net%2Fblogu-tema%2Freforma-institucionale-rrit-eficiencen-por-cenon-pavaresine-i514538$0;xdt=0;crlt=iOOUY(5WWc;cmpl=58;gcsr=m;stc=1;chaa=1;sttr=55;prcl=s
Me njohjen modeste që kam për këtë çështje, përshtypja që më është krijuar është ajo e një lloji çoroditjeje institucionale, ku ka munguar qartazi kontrolli dhe monitorimi i veprimtarisë së institucioneve, qoftë atyre të varësisë apo dhe atyre që janë të pavarura, ose autonome. Kontrolli parlamentar në veçanti ka shfaqur dobësi serioze për shkak se nuk ka pasur struktura të posaçme parlamentare të mirëpajisura me ekspertizë dhe buxhet, për t’iu mundësuar komisioneve parlamentare ushtrimin me efikasitet të punës së tyre si mbikëqyrës së veprimtarisë së këtyre institucioneve. Por edhe në agjencitë të cilat nuk kanë varësi nga parlamenti apo ndonjë autoritet kushtetues, statusin e “pavarësisë” e kanë keqpërdorur në shumë raste; llogaridhënia dhe përgjegjshmëria e tyre kanë krijuar shqetësime për aktorët ekonomikë e shoqëror që këto agjenci rregullojnë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër pushteti ekzekutiv kufizohet në mundësinë e kontrollit dhe arritjes së objektivave politik të synuar.
Në këtë kuptim, projektligji i paraqitur bën një përmirësim serioz për korrektimin e veprimtarisë së institucioneve të administratës. Kontrolli dhe mbikëqyrja e institucioneve shndërrohet në një proces të formalizuar dhe përgjegjshmëria dhe llogaridhënia pritet të përmirësohet dukshëm në të ardhmen. Krijimi i strukturave të posaçme të monitorimit të veprimtarisë së tyre, së bashku me hartimin e një metodologjie rigoroze të raportimit të veprimtarisë, krijon premisa për të rritur efektivitetin e agjencisë dhe të politikave publike në tërësi.
Projektligji krijon mundësinë për të rishikuar hartën ekzistuese të institucioneve dhe për ta ristrukturuar atë. Për shembull, Gjermania që është shteti dhe ekonomia më e madhe e Europës, ka vetëm një agjenci të pavarur për energjinë, digjitalizimin, telekomunikacionin, postat dhe hekurudhat! Ndërsa Shqipëria ka një autoritet më vete për energjinë (ERE), një për telekomunikacionin (AKEP), një për ujin (ERU), etj. Mund të ishte thjesht një autoritet i pavarur për të gjitha utilitetet. Përqendrimi në një autoritet të vetëm, jo vetëm kursen kostot fikse të agjencisë, por njëherësh përqendron ekspertizën (metodologjitë kanë mjaft ngjashmëri) dhe rrit koordinimin dhe fuqinë e agjencisë. Nga rishikimi i rrjetit ekzistues të institucioneve, ristrukturimi mund të zgjidh edhe çështjen e mbivendosjes së kompetencave dhe definimin më të mirë të përgjegjësisë së tyre.
Krijimi i agjencive të reja kushtëzohet nga një analizë e mirëfilltë e nevojës, duke detyruar propozuesin të shqyrtojë të gjithë rrjetin ekzistues institucional përpara se të motivojë krijimin e një agjencie të re. Kjo frenon prirjen e propozuesve të ligjeve për të shkuar si alternativë e parë drejt krijimit të një institucioni të ri, siç ka qenë prirja e deritanishme.
Përtej risive shumë pozitive dhe të dobishme të kësaj iniciative ligjore, mendoj se çështja e “varësisë” së institucioneve të pavarura ose autonome duhet të rimendohet. Arsyeja e krijimit të tyre si autoritete të pavarura, jashtë mbikëqyrjes nga ekzekutivi, lidhen me natyrën specifike të veprimtarisë së tyre dhe faktit se vetë ekzekutivi mund të jetë në një konflikt interesi. Për shembull, Autoriteti i Konkurrencës është krijuar i pavarur sepse është vetë qeveria që qoftë përmes rregullave ose praktikave (p.sh., subvencionet dhe ndihma shtetërore) mund të kufizojë konkurrencën e lirë. Një autoritet nën varësinë e ekzekutivit sigurisht që do ta kishte të pamundur të përmbushë misionin e vet. Në vendet e Bashkimit Europian pavarësia e autoriteteve shprehet tek emërimi i titullarëve (Parlamenti, Presidenti), ndërsa kontrolli dhe mbikëqyrja e tyre bëhet duke përfshirë sigurisht edhe ekzekutivin (ndarje raportesh dhe përmirësim standardesh e politikash), por kryesisht ajo bëhet nga Parlamenti ose autoritete kushtetuese. Prandaj, ndryshimi i statusit të varësisë së tyre mund të cenojë rëndë përmbushjen e misionit për të cilën ligjvënësi i ka krijuar. Në këtë rast mund të mendohet krijimi i një strukture të re parlamentare (p.sh., një Zyrë e Përgjegjshmërisë Buxhetore) e cila kryen monitorimin e veprimtarisë së rrjetit të autoriteteve të pavarura dhe ndërvepron me komisionet përkatëse parlamentare për të siguruar rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënës së këtyre autoriteteve. Krijimi i nënkomisioneve parlamentare me një fokus të veçantë, siç është ai për auditimin, për shembull, janë një praktikë shumë e mirë por që duhet fuqizuar duke i dhënë më shumë karakter profesional se politik.
Një element që mund të forcojë pavarësinë e këtyre institucioneve është dhe mandati i titullarit të tij. Projektligji ofron mandatin 5 vjeçar me të drejtë riemërimi dhe për një mandat të dytë. Në fakt, pavarësia rritet duke krijuar një mandat më të gjatë (p.sh. 7-9 vjet) pa të drejtë riemërimi.
Një tjetër çështje është krijimi i institucioneve në varësi të Kryeministrit. Si rregull, Kryeministri nuk ka arsye të ketë dhe një rrjet agjencish nën varësi, pasi duket sikur krijohet një qeveri me dy nivele: një qeveri me ministra dhe një me drejtor agjencish. Edhe kjo praktikë krijon rivalitete dhe dobëson punën e ministrive në hartimin dhe zbatimin e politikave në fushën përkatëse. Nëse ka një prioritet qeveritar apo strategjik, Kryeministri mund të krijojë një ministri specifike, por nuk ka arsye që Kryeministri të ketë nën varësi sisteme agjencish, siç ndodh aktualisht. Vetë Kryeministri duhet të krijojë pastaj një njësi të posaçme monitorimi të veprimtarisë së këtyre agjencive, gjë që nuk duket një praktikë normale. Projektligji e lë të hapur mundësinë që Kryeministri të krijojë agjenci sa herë e shikon të arsyeshme.
Një çështje që nuk ceket nga projektligji është mundësia e angazhimit të shoqërisë civile në kontrollin dhe monitorimin e veprimtarisë së ekzekutivit dhe agjencive qoftë të varësisë apo të pavarura. Si një demokraci e re dhe me besim të dobët tek institucionet e qeverisë, përfshirja e shoqërisë civile në monitorimin e veprimtarisë së institucioneve duhet të ketë një rregullim ligjor të përshtatshëm përmes këtij projektligji.