Një vit pas miratimit të Udhëzimit nr. 759, datë 30.9.2024, mbi organizimin, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin profesional në institucionet e arsimit dhe formimit profesional (AFP), Ministria e Ekonomisë ka miratuar një paketë ndryshimesh dhe shtesash të reja. Udhëzimi nr. 4, datë 18.8.2025, i botuar në Fletoren Zyrtare, sjell standarde më të qarta në planifikimin e veprimtarisë, regjistrimet, frekuentimin dhe certifikimin e nxënësve, si dhe në përzgjedhjen e personelit drejtues.
Struktura organizative, shtohen “ekipet lëndore”
Në krahasim me rregulloren ekzistuese të vitit 2024, ku parashikoheshin vetëm departamentet mësimore dhe sektori i financës dhe administrimit, udhëzimi i ri shton ekipet lëndore si një hallkë mbështetëse në procesin e mësimdhënies. Gjithashtu, termi “i financës dhe administrimit” zëvendësohet me “mbështetës”, duke e bërë strukturën më gjithëpërfshirëse.
Planifikimi vjetor, afate të reja dhe konsultim më i gjerë
Ndryshe nga më parë, ku planifikimi vjetor bazohej kryesisht në vendimet e brendshme të institucionit, tashmë: Plani vjetor hartohet mbi bazën e planit afatmesëm, vetëvlerësimit dhe rezultateve të vitit pararendës. Hartimi kryhet në konsultim me grupet e interesit dhe AKPA. Vendosen afate të reja: deri më 20 qershor për shkollat profesionale dhe qendrat shumëfunksionale, dhe deri më 30 janar për qendrat e formimit profesional. Plani miratohet nga bordi drejtues jo më vonë se 30 qershor ose 15 shkurt dhe publikohet online, duke rritur transparencën.
Regjistrimet dhe transferimet, e-Albania bëhet porta kryesore
Në rregulloren e vitit 2024, regjistrimi dhe transferimet kryheshin përmes aplikimeve fizike. Me ndryshimet e reja, regjistrimet kryhen përmes portalit “e-Albania”, duke dixhitalizuar procesin. Gjithashtu, transferimi i nxënësve lejohet vetëm brenda të njëjtit drejtim, me përjashtim të klasës së dhjetë, duke kufizuar lëvizjet arbitrare. Për kurset e Formimit Profesional, numri i kursantëve duhet të jetë 7–15 (ose minimumi 5 në institucionet e ekzekutimit penal).
Frekuentimi dhe certifikimi: mungesat ndëshkohen më rreptë
Rregullorja e vitit 2024 parashikonte masa disiplinore për mungesat, por jo kufizime të qarta për certifikimin. Me udhëzimin e ri, mungesa mbi 20% të orëve sjellin humbjen e të drejtës për certifikim (me përjashtim të kursantëve me aftësi të kufizuara). Gjithashtu, për mungesa mbi 3 ditë radhazi kërkohet miratim me shkrim nga drejtuesi i institucionit.
Personeli, kërkohet Master Shkencor dhe procedura të reja rekrutimi
Një nga ndryshimet më të thella lidhet me kriteret e stafit dhe drejtuesve. Kështu, në vend të diplomës Bachelor, tani kërkohet diplomë Master Shkencor ose e barasvlershme. Për herë të parë, përcaktohen në detaje detyrat, kriteret, procedurat e rekrutimit, dokumentacioni, komisionet e vlerësimit, fazat e konkurrimit, ankimimet dhe emërimi për përgjegjësin e Sektorit të Administrimit në Formimin Profesional. Procesi i përzgjedhjes do të bazohet në një sistem pikëzimi: 40% për dokumentacionin dhe 60% për intervistën, me prag minimal 70 pikë.
Përcaktohet për herë të parë roli i Oficerit të Sigurisë
Udhëzimi përcakton gjithashtu për herë të parë rolin e Oficerit të Sigurisë në këto institucione. Pozicioni synon të garantojë mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë brenda ambienteve të institucioneve arsimore profesionale, si dhe të ndihmojë në parandalimin dhe menaxhimin e situatave problematike që prekin nxënësit dhe stafin.
Detyrat kryesore të oficerit të sigurisë përfshijnë marrjen e masave për parandalimin e situatave që cenojnë sigurinë fizike dhe psikologjike të nxënësve; Monitorimin e sjelljes së nxënësve dhe ndërhyrjen në rast shkeljesh të rënda të rregullores së brendshme; Raportimin periodik për rastet problematike dhe ndihmesë në hartimin e masave disiplinore; Bashkëpunimin me strukturat përkatëse për rastet e dhunës, bullizmit, abuzimit apo shkeljeve të tjera të etikës; Informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit shkollor për çështje të sigurisë dhe rendit.
Pse janë të rëndësishme këto ndryshime?
Ndryshimet e reja synojnë të rrisin cilësinë, transparencën dhe llogaridhënien në arsimin profesional. Me digjitalizimin e regjistrimeve, rregullimin e transferimeve, standardizimin e mungesave dhe vendosjen e kritereve të qarta për stafin, sistemi bëhet më i qëndrueshëm dhe më i përafruar me standardet evropiane. /e