Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Rene Troccaz, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në Kosovë dhe çështjet e sigurisë rajonale.
Sipas njoftimit nga Presidenca, takimi u fokusua në orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Osmani theksoi se reformat, sundimi i ligjit dhe përmbushja e standardeve evropiane mbeten prioritetet kryesore të Kosovës.
Ajo përmendi zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të shumicës së nënkryetarëve si hapa të rëndësishëm për stabilitetin politik dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Lidhur me hapjen e urës së re mbi lumin Ibër dhe ndërtimin e një ure shtesë, Osmani shprehu mbështetjen e saj, duke vlerësuar rolin e urave në integrimin dhe afrimin e qytetarëve përmes lehtësimit të lëvizjes dhe bashkëpunimit.
Ajo rikujtoi se mbyllja e urës kryesore në Mitrovicë në vitin 1999 nuk u bë për arsye sigurie, por për shkak të vendimeve politike të dëmshme, dhe se është për keqardhje që, edhe pas 10 vitesh nga marrëveshja e Brukselit për hapjen e saj, ura mbetet e mbyllur.
Presidentja theksoi se tensionet në veri të Kosovës nuk shkaktohen nga urat, por nga veprimtaria kriminale dhe destabilizuese e strukturave ilegale të financuara nga Serbia, si ato të lidhura me Milan Radojçiqin.
“Janë këto struktura që krijojnë frikë dhe tensione, jo infrastruktura që synon të bashkojë komunitetet,” deklaroi ajo.
Duke komentuar masat kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Osmani i cilësoi ato të padrejta, duke argumentuar se dëmtojnë qytetarët, proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit, si dhe cenojnë kredibilitetin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Në përfundim, presidentja riafirmoi angazhimin e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
/rtsh.al/