HomeOP EDGuximi si thelb i ekzistencës/Nga Taulanda Jupi

Guximi si thelb i ekzistencës/Nga Taulanda Jupi

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Taulanda Jupi

Alkimisti i Paulo Coelho-s është një libër që ka ndalur kohën. Ndërkohë që e rilexoja këtë verë, përjetova një udhëtim magjik ku çdo fjalë pulson me forcën e guximit dhe fuqinë frymëzuese të besimit dhe shpresës.

Paulo Coelho ndërthur me mjeshtëri thellësinë e spiritualitetit, misterin e simbolve dhe mençurinë në një rrëfim që na fton të zbulojmë thelbin e jetës. Sfidat nuk janë pengesa, por prova të domosdoshme që forcojnë shpirtin dhe na udhëheqin drejt përmbushjes së qëllimit dhe duke u shndërruar në arkitektë të fatit tonë me veprimet dhe vendimet tona.

Santiago është secili prej nesh që beson për fuqinë e shpresës, atë dritë të brendshme që nuk shuhet kurrë edhe kur gjithçka duket e errët. Është ajo shpresë që të mban gjallë kur je në prag të dorëzimit, që të ngre pas çdo rënieje, dhe që të kujton se ëndrrat nuk janë fantazi, por thirrje zemrës dhe gjithçka që ajo beson. Siç thotë vetë autori: “Pyet zemrën, ajo di gjithçka.”

Thesari që Santiago kërkon nuk është ar, por një simbolikë e kuptimit të jetës. Është forca që lind kur jeton në përputhje me veten. Është ai çast i rrallë kur ndalon dhe ndjen se je aty ku duhet të jesh, jo sepse ke mbërritur, por sepse më në fund po ecën me vetëdije drejt asaj që të frymëzon dhe i jep kuptim ekzistencës tënde.

Santiago guxon të dëgjojë një zë të brendshëm, një ndjesi që nuk mund të përshkruhet me fjalë, por që zemra e njeh më mirë se kushdo. Guximi i tij nuk është përballje me botën, por me frikën, dyshimin, dhe vetë mundësinë e dështimit. Megjithatë ai ecën përpara, dhe çdo hap i tij në shkretëtirë bëhet një akt i heshtur dashurie ndaj vetes dhe jetës.

Në fund, “alkimisti” i vërtetë nuk është ai që shndërron metalet në ar, por ai që shndërron jetën në kuptim, ai që guxon përtej frikës, ai që rrëzohet dhe ringrihet, ai që dashuron dhe fluturon me krahët e saj, ai që guxon të jetojë duke dëgjuar zemrën, sepse vetëm me këtë guxim mund të jetosh vërtet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular