Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar ndaj rasteve të mashtrimit online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX. Sipas këtij institucioni, kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar.
Ndërkohë, nga vëzhgimet e AKSK dhe denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.
Por, si funksionon kjo platformë?
Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
• Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, ËhatsApp, Signal;
• Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
• Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
• Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.
AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.
Gjithashtu, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u kujton qytetarëve që duhet të kenë parasysh se:
Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve. Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë, të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura, si dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka nisur një hetim penal në lidhje me një skemë të dyshuar investimesh piramidale TXEX, e cila operon përmes platformave online dhe synon përfitime të paligjshme nga qytetarët.

Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve, duke u kërkuar që të shmangin aplikimin apo përfshirjen në platforma që premtojnë fitime të menjëhershme, por që nuk janë të verifikuara apo të licencuara.







