Deputetët në Kosovë dështuan edhe këtë të enjte të zgjedhin nënkryetarin serb, që do të përmbyllte konstituimin e Kuvendit.
Deputeti nga pakica serbe, Nenad Rashiç, nuk arriti të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, duke shënuar kështu dështimin e tij të dytë për këtë post. Në votimin e sotëm, Rashiç mori 56 vota pro, 1 kundër dhe 20 abstenime. Sipas rregullores, ai ka të drejtë të paraqitet në votim vetëm edhe një herë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndërpreu seancën dhe tha se administrata do të njoftojë se kur ajo do të vazhdojë. Më 26 gusht, Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarë.
Konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.