NGA GËZIM TUSHI
Padyshim, tashmë nuk është paragjykim postmodernist, por është realitet i vërtetë social, që jetojmë në një epokë të përbashkët, dinamike, të vrullshme, turbulente tipikisht e kohës postmoderne. Kjo ka bërë që edhe në shoqërinë dhe qytetërimin tonë dikur tradicional, të evidentohet fenomeni i zgjerimit të problemeve sociale të lidhura me kohën dhe standardet e njohura të modernitetit social. Natyrisht, kjo situatë sociale po shoqërohet me shumë dukuri të reja.
Zhvillimet intensive të shoqërisë shqiptare të kohëve të fundit kanë sjell material të bollshëm sociologjik, për të pranuar të vërtetën se postmoderniteti është në thelb një “ekuacion” që ka dy anë koherente kryesore. Ato janë kompatibile dhe kanë të bëjnë me zhvillimin e integruar të anës material dhe shoqërimin në të njëjtën kohë nga prania e përshpejtuar e ndryshimeve në tipologjinë e jetës së përditshme, duke qenë në valët e “revolucionit moral”. Padyshim, nuk kërkon ndonjë vigjilencë politike apo sociologjike për të kuptuar faktin, që është evolucioni material i kohës së postmodernitetit, shkaku kryesor që e detyroi shoqërinë dhe njeriun e saj të dalë prej truallit të vjetër të “epokës tradicionale”, periudhës shumë të shkurtër kalimtare të “kohës moderne” dhe tashmë është duke ecur me shpejtësi dhe tempin e kohës, në rrugë e drejtime të reja materialisht dhe moralisht të akseleruara, të cilat janë ritme e fenomene tipike të postmodernitetit.
Kjo kohë që jetojmë është për të gjithë kohë e sfidave sociale, dilemave dhe pasigurive të natyrshme individuale. Nuk mund të ecësh i sigurt në jetë, nëse nuk kupton këtë dialektikë të ndërlikuar të modernitetit, modalitetet e së cilës tashmë shfaqen si tregues të konsoliduar në jetën sociale të shoqërisë tonë, e cila është duke përjetuar plasaritje të thella strukturore, sociale, institucionale, psikologjike e morale. Fenomene sociale të pamenduara të kishin jetë apo ekzistencë sociale më parë, tashmë objektivisht janë bërë krejt të natyrshme, me ekzistencë të padyshimtë objektive. Madje, në shumë drejtime dhe aspekte të jetës së sotme shoqërore ato po shfaqen “dhunshëm” dhe “agresivisht”, duke qenë në rolin e faktorëve madhorë, që qëndrojnë mbi dëshirat subjektive, prirjet e vjetra egalitariste e humanizuese të individit. Fenomene të cilat duke qenë dominonte, po copëtojnë strukturën e sociale e funksionale të shoqërisë. Një realitet i jetës së përditshme që i shkaktojnë njerëzve ankth, zemërim, zili, egoizëm, pasiguri e frikëra të zgjeruara ekzistenciale.
Realisht dhe sociologjikisht jemi në momente kruciale, kur gjërat nuk duhen parë në mënyrë lineare dhe as vlerësuar me “rrjedhje të lirë”, por me realizëm. Sepse ngjarjet, dukuritë, fenomenet e reja sociale, marrëdhëniet e ndryshuara të njeriut me veten, tjetrin, politikën e ditës, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi tregojnë se shoqëria edhe qytetërimi ynë kanë krijuar kushtet e shfaqjes jo vetëm të paqartësive dhe shqetësimeve individuale, por edhe dimensionet e zgjeruara të një neuroze të përgjithshme sociale, të cilën sikurse arsyeton saktë sociologu i kohës sonë, Paul Collier, “nuk e trajton dhe nuk e zgjidh dot psikanaliza. Ajo mund të trajtojë disa individë, por jo të gjithë shoqërinë. Nuk mund ta shtrimë shoqërinë në divanin e psikoterapistit”, – thotë ai. Ngjarjet sociale anomike e turbulente që po ndodhin në jetën e shoqërisë tonë, shpesh janë të shoqëruara me reagime kaotike, subjektive, të ndikuara nga ide konfuze, rrugë të paqarta e të pasigurta individuale, janë argument të mjaftueshme për të na bindur se duhet pranuar, se si shoqëri dhe individualisht po jetojmë në kohë dinamike, brenda realiteteve të reja gati të “përmbysura” politike, ekonomike, sociale e morale, të cilat shoqërohen prej mangësive sociale konceptuale që janë bërë patologji evidente të realitetit tonë.
Në thelb, në vlerësimin sociologjik sinkretik, ato janë parametrat që tregojnë, se pavarësisht gjykimeve dhe paragjykimeve individuale, duam apo nuk duam, ato dëshmojnë të vërtetën e pamohueshme, se në thelb shoqëria që jetojmë është e tillë: plot anomali, paqartësi e kontradikta. Lidhur me këto probleme që shfaqen dukshëm në shoqërinë tonë, në mendimin social e politologjik, por edhe në gjykimet komunitare dhe opinionin publik, ka shpeshherë shfaqje të dëshirave utopike, shoqëruar me vlerësime paradigmatike konservatore e sempliste, të nevojës për të pasur një shoqërie me “harmoni të madhe”, strukturë sociale të përkryer. Këto ide e mendime subjektiste janë në thelb abuzive, sociologjikisht demagogjike dhe praktikisht të pamundura, të paqëndrueshme për të qenë reale në kohën e sotme. Me të drejtë janë skarcitete teorike, empirike e sociale, të cilat sikurse mendojnë sociologët e modernitetit janë “parajsë vetëm për idiotët”.
Ne duhet t’i mësojmë, përgatitim dhe ndihmojmë njerëzit tanë për të kuptuar të vërtetat e lëvizshme të shoqërisë, dritëhijet e kohës që jetojmë, tiparet qenësore të jetës reale prozaike dhe jo dëshira utilitare e utopike, të bazuara në konceptet e vjetra sunduese në shoqërinë e së kaluarës, me natyrë ideologjike, iluzive e fantazmagorike, të mbështetura në konceptin i shoqërisë së “ngurtësuar”, të ideve të sigurta, universale, të qëndrueshme, të pandryshueshme. Kjo ideologji, ky koncept semplist dhe konceptim foshnjarak e jo real, për vlerësimin e problemeve sociale dhe kontradiktave individuale, është i papranueshëm për kohën. Në mënyrë metaforike, për njerëz që shoqërinë e mendojnë si strukturë statike, moralisht e psikologjikisht të pandryshueshme, sociologu Brunschvicg e krahason me “…me një fotograf, i cili me kokën brenda copës së zezë do t’i thërriste natyrës (dhe shoqërisë): “Kujdes! Po bëj foton tënde: Mos lëviz më!”. (Julien Benda, “Tradhtia e intelektualëve”, f. 50).
Në fakt, zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se shoqëria shqiptare është bërë tejet dinamike, marrëdhëniet sociale kanë një labilitet të paimagjinuar më parë, marrëdhëniet sociale e komunitare janë tronditur nën forcën goditëse të individualizmit, jetës dhe sjelljes së lirë e të personalizuar të njerëzve tanë. Këto dinamika e zhvillime gabimisht nuk vlerësohen në ndikimin dhe peshën sociale që ato kanë në jetën e përditshme. Shpesh gabimisht, disa politikanëve dhe specialistëve socialë këto zhvillime e ndryshime në jetën e përbashkët të shoqërisë mund t’u duken të vogla, të parëndësishme, normale apo të anashkalueshme nga koha. Por e vërteta nuk është kështu. Këto janë shkaqe që në të vërtetë po sjellin pasoja të mëdha sociale në jetën e shoqërisë sonë. Shoqëruar me shumë paqartësi, moskuptime dhe keqkuptime të shumë dukurive sociale, sikurse janë dobësimi apo mundet edhe shpërbërja e institucioneve sociale, dobësimi strukturor dhe edukativ i familjes, shtimi divorceve dhe pakësimi i martesave, plakja me ritme shumë të larta e popullsisë dhe rënie e frikshme e natalitetit (normës së lindjeve), zgjerimi i dhunës në familje dhe krimit ordiner në rrugë e ambiente publike, sjelljet turbulente të adoleshentëve dhe zgjerimi përmasave të krimit minor, mungesa e vlerësimit dhe kujdesit për ambientet sociale e hapësirat publike.
Këto janë disa nga patologjitë që shoqërojnë jetën tonë të përditshme. Ato nuk janë fenomene të thjeshta, që mund të “fotografohen” në gjendje të ngrirë, me pamje e tipologji standarde, fikse. Përkundrazi, ato janë dinamike, shpesh të pakontrollueshme, madje edhe të paparashikueshme deri në fund për përcaktimin e shkaqeve të vërteta ekzistenciale dhe gjetjen e formave të mundshme të diagnostikimit të saktë, parandalimit të sigurt dhe rehabilitimit përmes terapive sociale të sigurta e të suksesshme.
Për fat të keq, shoqëria aktualisht duket disi e “verbuar” nga dominimi i logorive dhe ligjëratave të “politikës së mbyllur”, e cila më shumë shfaqet si lojë për pushtet se sa si biopolitikë, apo si politikë me efekte sociale dhe etike. Unë mendoj se është urgjente, kuptimi i drejtë dhe ndryshimi i aksit të politikës sonë kombëtare, duke e përqendruar vëmendjen dhe kujdesin, jo për politikën si epifenomen apo si lëvizje brenda “kënetës” së saj të izoluar nga problemet e rënda që po shqetësojnë shoqërinë, individin, integritetin e tyre urban e qytetar. Problemet e ndërlikuara e komplekse të jetës sociale, shtimi i fenomeneve dhe plagëve të reja sociale, agaravimi i akseleruar gangrenizimi dhe kalcifikimi i përshpejtuar i tyre, sipas mendimit tim, është sinjal për politikën, e cila duhet të rishikojë raportet dhe përgjegjësinë endemike lidhur me problemet që e shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Sipas mendimit tim, diagnozat e problemeve sociale duhet të prevalojë mbi analizat politike. Është koha që politikanët tanë ta kuptojnë detyrën dhe imperativin e detyruar të statusit të tyre, për të “parë gjërat më larg se të tjerët, të kuptojnë rrezikun aktual, sepse sikurse duket ‘ne’ dhe ‘ata’ jetojmë në të njëjtën shoqëri, e cila për shumë arsye që përmenda më lart, por edhe për shumë të tjera, që janë në ‘rrugë duke ardhur drejt nesh’, shfaqet dukshëm kaotike politikisht, e përçarë strukturalisht dhe moralisht e shpërfytyruar.
Nga ana tjetër, në optikën e sociologut, mendoj se është imperative që problemet sociale që shqetësojnë shoqërinë, sidomos diagnostikimi dhe nevoja e trajtimit sociologjik të tyre janë me rëndësi të madhe dhe doemos që ato nuk duhen trajtuar vetëm politikisht, por së pari ato duhen shqyrtuar sociologjikisht. Duke i parë këto probleme që na shqetësojnë si shoqëri jo vetëm në aspektin teorik dhe akademik, por së pari si një problem human e social me rëndësi për jetën dhe funksionimin e lidhjeve, komunikimit dhe marrëdhënieve njerëzore. Shoqëria shqiptare ka nevojë të riorientohet, duke ecur jo sipas rrugëve të vjetra, por sipas “piketave të reja” të kohës, në rrugë morale postmoderne. Ky ndryshim nuk është i vogël. Por imperative është të kuptohet, se jeta aktuale e shoqërisë, pa rënë kaos social dhe kaotizëm anomik, ka nevojë për “shenja të reja” në ndërtimin e marrëdhënieve morale të qytetarit me shoqërinë dhe veten.
Ai është thelbësor, i rëndësishëm, por edhe i vështirë për t’u zbatuar. Shoqëria jonë është postmoderne, me “konture sociale” të hapura, pa kufij të ngushtë e determinime morale të kufizuara. Në këto kushte është e nevojshme të mësohemi me logjikën postmoderne të ndërtimit të personalitetit të qytetarit postmodern, që është i aftë të orientohet me këtë “shoqëri që lëviz”, duke u përshtatur në mënyrë dinamike me normat e reja morale, si kusht i jetës urbane dhe detyrim i përbashkët universal. Ajo që kërkohet aktualisht dhe që është strategjikisht e nevojshme, është gjetja e vullnetshme e ekuilibrave të rinj, moderne e funksionuese, që mund të balancojë problemet sociale dhe konvulsionet e natyrshme të socialitetit, me piketat e duhura të orientimit individual human, qytetar, të suksesshëm…/Gazeta Panorama