Aktori, regjisori dhe dramaturgu i mirënjohur Naun Shundi u shua në moshën 66-vjeçare, duke humbur betejën me sëmundjen e rëndë.
Shundi, aktori i dhjetëra roleve, mbylli sytë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ku merrte trajtim prej 22 gushtit. Kanceri i lëkurës e kishte shkëputur prej kohësh nga teatri. Artisti u dërgua fillimisht nga familja e tij për kurim në Francë e më pas u soll në Shqipëri për të marrë trajtim në QSUT, shpenzimet e të cilave u mbuluan nga Ministritë e Shëndetësisë dhe Kulturës.
Veprimtaria
Naun Shundi lindi më 3 shkurt të vitit 1959 në Tiranë.
Ai u diplomua si regjisor në Shkollën e Mesme të Kulturës në 1977, ndërsa në 1983 u diplomua aktor në Institutin e Lartë të Arteve. Më pas u emërua aktor në Teatrin Kombëtar e në vitin 1985 u transferua si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri, për t’u rikthyer një vit më vonë në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1993 deri në vitin 2000 ai ishte pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë në Akademinë e Arteve.
Shundi ka punuar gjatë në Teatrin Kombëtar shqiptar, ku ka vepruar si aktor, regjisor, dramaturg dhe pedagog. Ai ishte gjithashtu aktor filmi dhe moderator i njohur në radio. Si aktor i mbi 60 roleve në shumë shfaqje, mund të përmenden rolet si Ezopi te “Ezopi”, Urani te “Zoti godet me putër”, “Kopshti me dallëndyshe”, “Drejt perëndimit”, Si e mposhta Musolinin”, “Kontrata”, “Henry IV”, “Tri motrat” etj.
Shundi themeloi në shtëpinë e tij një teatër dhome të quajtur “Zonja e bujtinës”, e quajtur kështu në nder të bashkëshortes dhe partneres së tij artistike.
/rtsh.al/