Kujdesi familjar mbetet forma kryesore e kujdesit afatgjatë në Shqipëri, ku 95% e të moshuarve mbështeten tek anëtarët e familjes dhe vetëm 5% marrin kujdes nga jofamiljarët, përfshirë 2% që mbështeten nga kujdestarë të paguar (kryesisht të financuar nga shteti).
Sipas raportit të PNUD në Shqipëri, megjithë këtë mbështetje, 13% e të moshuarve në nevojë nuk kanë asnjë formë kujdesi, duke nxjerrë në pah boshllëqe kritike në ofrimin e shërbimit. Normat kulturore e përforcojnë kujdesin si detyrim familjar, duke vendosur një barrë emocionale, fizike dhe financiare mbi familjet, veçanërisht mbi gratë, të cilat përbëjnë 67% të kujdestarëve familjarë. Gratë janë gjithashtu më të ekspozuara ndaj mungesës së kujdesit, me gati dy herë më shumë raportim se burrat në mungesë të kujdestarit.
Qasja në shërbime formale të kujdesit është e kufizuar nga barrierat financiare dhe gjeografike. Mes të moshuarve pa kujdestar, 61% e lidhin mungesën e kujdesit me mungesën e të afërmve pranë, një sfidë që ndihet më shumë jashtë Tiranës për shkak të migrimit dhe tkurrjes së rrjeteve familjare. Për më tepër, 80% e të moshuarve shprehen se nuk mund të përballojnë financiarisht një kujdestar me pagesë, duke kufizuar kështu aksesin në kujdes profesional.
Shërbimet institucionale të kujdesit: të kufizuara dhe të shpërndara në mënyrë të pabarabartë
Sipas të dhënave të raportit, shërbimet institucionale të kujdesit, si shtëpitë rezidenciale dhe qendrat ditore/komunitare, janë të pakta dhe të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, duke lënë popullsitë rurale me qasje minimale në kujdes afatgjatë formal. Shqipëria ka 23 institucione rezidenciale, që u shërbejnë rreth 705 të moshuarve, më pak se 1% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç. Gjithashtu, 36 qendra ditore komunitare u shërbejnë rreth 3,000 përfituesve, por gati gjysma e bashkive nuk ofrojnë asnjë shërbim komunitar për të moshuarit, duke thelluar pabarazitë rajonale.
Kujdesi i specializuar është veçanërisht i pamjaftueshëm. Vetëm 33% e qendrave rezidenciale ofrojnë kujdes për demencën, ndonëse 92% e institucioneve raportojnë nevojë për të. Po ashtu, vetëm 25% ofrojnë shërbime fizioterapie, edhe pse mbi 90% e pranojnë domosdoshmërinë e tyre. Kufizimet infrastrukturore pengojnë më tej cilësinë e shërbimit, me 75% të qendrave rezidenciale që identifikojnë nevoja urgjente për modernizim. Qendrat ditore përballen gjithashtu me sfida, veçanërisht për mungesën e hapësirave të dedikuara për terapi dhe aktivitete sociale.
Vështirësitë financiare mbeten pengesa kryesore, ku dy të tretat e institucioneve citojnë mungesën e financimit si pengesë kryesore për zgjerimin e shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e pagave konkurruese për stafin.
Sfida në forcën punëtore dhe trajnim: mbulim i kufizuar dhe pak specializim
Sfida e forcës punëtore në sistemin e kujdesit afatgjatë formal në Shqipëri ndryshon mes kujdestarëve familjarë dhe atyre institucionalë, duke kërkuar zgjidhje të përshtatura që adresojnë si nevojat e përgjithshme, ashtu edhe ato të specializuara të trajnimit.
Kujdestarët familjarë të patrajnuar dhe të mbingarkuar ndërsa ata institucionalë në mungesë
Kujdestarët familjarë përbëjnë shtyllën kurrizore të sistemit të kujdesit afatgjatë formal në Shqipëri, por 99% e tyre raportojnë se nuk kanë marrë asnjë trajnim formal. Shumë kujdesen për të moshuar me nevoja të ndërlikuara fizike dhe mjekësore, por u mungon edhe edukimi më bazë mbi kujdesin. Programet e trajnimit të fokusuar në menaxhimin e dëmtimeve njohëse, ndihmën e sigurt fizike dhe kujdesin për individët shumë të varur mund të përmirësonin ndjeshëm cilësinë e kujdesit dhe të reduktonin stresin e kujdestarëve. Megjithatë, këto programe mbeten minimale dhe ndërgjegjësimi për to është i ulët, thekson raporti.
Fuqia punëtore formale e kujdesit social në Shqipëri përfshin 3,700 individë, ku 78% punojnë në institucione sociale dhe 22% në shërbime të nivelit bashkiak. Ky sektor dominohet nga gratë (81%) dhe përballet me mungesë serioze stafi dhe boshllëqe në trajnim, përfundon dokumenti./ekofin.al