Sali Berisha jane paraqitur dje në orën 10:00 në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Dosja për aferën kaloi për gjykim më 19 maj, në të cilën Berisha gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Sali Berisha ka vazhduar sulmet ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Pas paraqitjes në SPAK, ku ishte për të zbatuar masën e detyrimit me paraqitje, Berisha përsëriti deklaratat se Gjoka ka qenë e dënuar dhe dëbuar nga Greqia, duke akuzuar edhe KLGJ-në se e ka mbrojtur.
“Rikujtoj shqiptarët se si Edi Rama, produkti më kriminal në Evropë i George Soros dhe Altin Troplini mbrojnë delinkuenten dhe fytyrën e vërtetë të drejtësisë Irena Gjoka.
Me datën 26 tetor, avoketërit e mi, paraqesin kërkesën për dorëheqje dhe konflikt interesi në vitin 1996, por Irena, Kryetarja e gjykatës më speciale të Shqipërisë nuk pranoi dhe iu tha avoketërve se a keni dokument ju për këtë gjë. Në nëntor 2023, KLGJ iu jep avoketërve të mi vendimin për shkarkimin e Irena Gjokës. Por dy javë më pas e njëjta KLGJ me urdhër politik.
Në nëntor KLGJ iu thotë deputetëve se s’ka vendimmarrje pasi kishte dhënë dy javë më parë dhe tani thotë nuk ka vendimmarrje për shkarkimin e saj në 96. Në vitin 2023, kërkesën e avoketërve të mi, ajo i përgjigjet nuk pranoj të jap dorëheqje se ka qenë vendim kolegjial.
Në 2024, gazeta greke ‘Ta Nea’ boton shkrimin se Irena Gjoka është dëbuar nga Greqia. Këto nuk u morën parasysh, por morën parasysh deklaratat e avoketërve të saj, dy famëzinjve të botës së vjetër, Beqiri-Çupi, mediat e PS sipas të cilëve, shkrimi i gazetës ishte porositur nga Tirana”, tha mes të tjerash Berisha.
Deputetja Monika Kryemadhi ishte në SPAK, në zbatim të masës së sigurimit “detyrim për paraqitje”.
Në lidhje me depozitimin e dosjes ndaj saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta në gjykatë, Kryemadhi tha se nuk do të kërkonte gjyq të shkurtuar, shkruan A2.
Pa zbardhur emra, ajo tha se do të kërkonte dëshmitarë shumë interesantë në proces.
“Dosja ka zbritur nga kati i tretë në kat të parë. Kështu që, nuk është se ka ndonjë qamet… Ajo që bën përshtypje është se nuk do të ketë, për mua, gjykim të shkurtuar, pasi përveçse do të kërkoj dëshmitarët që ka thirrur SPAK-u, do të kërkoj edhe shumë dëshmitarë të tjerë sepse të gjithë ata që janë thirrur, asnjëri nuk ka asnjë deponim kundër meje apo zotit Meta. Unë shikoj një shpërdorim detyre dhe një tejkalim kompetencash, përveçse diskriminim dhe intimidim që ka përdorur SPAK-u ndaj bizneseve të ndryshme. Do të shikoj thirrjen edhe të disa dëshmitarëve të tjerë, janë emra shumë interesantë”, tha Kryemadhi.