Çdo individ që nuk është në marrëdhënie pune dhe rrjedhimisht nuk bën pjesë në skemën e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, ka të drejtën që të paguajë sigurim vullnetar në mënyrë që të mos penalizohet nga e drejta për pension pleqërie.
Referuar të dhënave zyrtare të ISSH-së për vitin 2024 numri i kontribuuesve vullnetarë regjistrohet në 5255, nga të cilat 3089 janë brenda vendit dhe 2166 janë jashtë vendit. Sipas grupmoshave, 56.1 % janë mbi moshën 50 vjeç; 42.4 për qind 31-50 vjeç dhe 1.4% 18-30 vjeç.
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për vitin aktual 2025, kontributet mund të paguhen mujore, tremujore ose vjetore dhe për kontributet e parapaguara të periudhave të ardhshme bëhen zbritje të masës së caktuar të kontributeve, prej 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1,5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Nga ana tjetër, personat kanë të drejtë të paguajnë sigurim vullnetar për plotësimin e periudhave të kaluara, të pambuluara me sigurim të detyrueshëm, deri në plotësimin e moshës për pension pleqërie.
Ndërsa sigurim ekziston edhe si një mundësi për të krijuar më shumë të ardhura për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësit privatë, për pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Kontributet vullnetare për më shumë të ardhura, paguhen deri në nivelin maksimal, por vetëm për vitin korrent dhe jo për periudha të mëparshme.
Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 8,640 lekë dhe kuota vjetore është 103.680 lekë
Sigurimi vullnetar nuk mund të bëhet pas lindjes të së drejtës për një përfitim nga skema e sigurimit të detyruar si dhe nga të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët përfitojnë subvencione nga buxhetit i shtetit.
Sigurimi vullnetar në çdo rast bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje ndërmjet personit që aplikon dhe punonjësit të ngarkuar në strukturat e ISSH-së. SCAN