“Veprimi i parë që bën një shtet, apo një perandori kur okupon me forcën e armëve territorin, apo një pjesë të tij të një shteti tjetër është zhdukja e identitetit të tij, si një premisë e sigurt për asimilimin e gjuhës, historisë, fesë, dokeve dhe të kujtesës së tij historike. Një politikë të tillë ka ndjekur Serbia ndaj shqiptarëve, e sidomos ndaj atyre të trevave të veriut.”
Studiuesi, patrioti, dhe ish-deputeti Azgan Haklaj, ka publikuar në rrjetet sociale një dokument të fundit të Selami Pulaha – Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Nahija e Altunilisë! – ku thotë në statusin e tij se “kthimi në Identitet është domosdoshmëri jetike!”, duke i shtuar një tjetër provë pretendimeve dhe domosdoshmërisë për t’i rikthyer vendlindjes së tij emërtimin “Malësia e Gjakovës” në vend të emërtimit sllav ‘Tropojë’.


Dokumenti shoqërohet me harta përkatëse, të cilat përforcojnë argumentet e parashtruara në librin e tij, “Jam Dardan i Malësisë së Gjakovës!” – për heqjen e emërtimit sllav “Tropojë” që mban ende sot vendlindja e Haklajt.
Haklaj ka bërë më herët një kërkesë për t’i ndryshuar emrin e Tropojës, në Malësi të Gjakovës, kërkesë që pret të merret në shqyrtim në bashki dhe prefekturë. Është e provuar shkencërisht, dhe argumentet e pakontestueshme qoftë në librin e tij “Jam Dardan i Malësisë së Gjakovës!”, qoftë në publike të tjera vendase e të huaja.
Ai thekson se në librin Racat e Europës me autor Carleston Stevens Coon, Profesor i Antropologjisë, Universiteti Harvard, viti 1939, në faqen 596 paraqet hartën e fiseve veriore (Gegnisë) të Shqipërisë ku duket qartazi emërtimi i Tropojës së sotme me emrin e vet historik e administrativ Malësia e Gjakovës!
Pse është me shumë rëndësi që Malësisë së Gjakovës t’i rikthehet emërtimi i saj 100 për qind shqiptar, në vend që të mbajë emrin e vendosur nga sllavët dhe cilat janë hapat që duhen ndjekur?
“Jam dardan i Malësisë së Gjakovës dhe do ta heq mantelin serb që ma veshën sllavo- boshevikët
Referendumi për kthimin në identitet gur themel i bashkimit kombëtar” – thekson Haklaj.
Fakti historik që përmendet prej tij:
Konti Bertold ish ministër i jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze, miku i madh e i vendosur i shqiptarëve dhe kalorës i lirisë së tyre është shprehur për vendimet e Konferences së Londrës të vitit 1913-të ku ai ishte pjesëmarrës e avokat i çeshtjes shqiptare:
“U detyruam të bëjnë kompromis të dhimbshëm e të lenim Gjakovën brenda territorit të Serbisë së çertefikuar nga kjo Konferencë, ku mbeti krejt Kosova, por shpetuam Shkodrën dhe rrethinat e saj, të cilat do t’i dhuroheshin Malit të Zi.
Malësia e Gjakovës, Tropoja e sotme, që do ta merrte me vonë këtë emër u bë pjesë e Shqipërisë Londineze.”
“Ka ardhur koha që të kthejmë identitetin e dinjitetin e Malësisë së Gjakovës, siç është quajtur prej shekujsh vendlindja ime, e cila pas luftërave ballkanike, pas fillimit të Luftës së Parë Botërore është pagëzuar me emrin sllavë Tropojë ” Tripolje”, tre fusha duke e mbajtur këtë emër edhe pas Konferencës së Paqes së Parsit, pas mbarimit të kësaj lufte dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore si shenjë servilizmi ndaj Jugosllavisë Mbretërore dhe asaj Titiste.”
Azgan Haklaj zbulon mes të tjerave se cila është historia e vertetë e Malësisë së Gjakovës
“Për etnogjenezën e saj ka argumenta të pafundmë,- shprehet Haklaj, “por do të veçoj disa prej tyre. Ajo është banuar prej mijëra vitesh nga fiset iliro- dardane dhe ka qenë si pikpjekje e qytetërimeve dhe mbretërive të tyre antike, katër shekuj para lindjes së Krishtit.”
“Në mesjetë ajo ishte pjesë e principatave të Pjetër Spanit dhe Lekë Dukagjinit të shtrirë në dy anët e brigjeve të Valbonës dhe Drinit.
Spanët dhe dukagjinët ishin pjesëmarrës në Besëlidhjen e Lezhës së 2 marsit të vitit 1444 dhe u bënë si krahët e shqipes për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin “Skënderbeun”
Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti kur kaloj në amshim ia la amanet Arbërinë Lek Dukagjinit.
Pas pushtimit turk e ndarjes administrative janë krijuar vilajetet.
Riorganizimi i Perandorisë Turke pas reformave të Tanzimatit për t’i sunduar më kollaj shqiptarët i ndau në katër vilajete, me nëndarje sanxhaqet dhe kazatë.
Në kohën e Rilindjes Kombëtare sipas Sami Frashërit, Gjakova ishte kaza e sanxhakut të Pejës.
Malësia që përfshin fiset e vjetra të Gashit, Krasniqes, Nikaj- Merturit, Bytyçit morën së bashku emrin Malësia e Gjakovës.”
“Nuk ka vetëm Malësi të Gjakovës, por edhe Malësi të Madhe, Malësi të Krujës të Lezhës.
Fjala malësi dhe malësor identifikohet me malet e madhështinë e tyre, të cilat vendlindjes time Zoti ja ka dhuruar me aq dashuri e bujari.
Kot nuk i kanë thirrur të parët tanë Shkelzeni i Gashit, Korja e Merturit e Kakia e Nikajve.
Emri Tropojë na del kështu i imponuar e i qëllimshëm për ta hequr nga harta emërtimin Malësia e Gjakovës.” Ai emër nuk ka ekzistuar as në regjistrimet osmane pas pushtimit nga Perandoria Turke.”

Argumentet që parashtron Azgan Haklaj mbi emërtimet sllave në trojet tona
“Kjo politikë e ka zanafillën qysh 8 shekuj më parë nga zhupanët Stefan Nemanja, Car Uroshi i I, Car Uroshi i II e kulmoi me Stefan Deçanskin, e Car Dushanin Zhupanin e madh, të cilët sunduan me thundër të hekurt duke filluar në fund të shekullit të 12-të për afro dy shekuj, në shekujt 13- të dhe gjysmën e parë të shekullit 14 -të, fantazma e të cilëve u ringjall në shekullin e 19- të me krijimin e Principatës se pavarur Serbe, në periudhën e Jugosllavisë Monarkike 1919- 1944, të Federatës Titiste e Serbisë së Millosheviçit.”
“Do të kthehem tek Perandori Stefan Dushani, jo vetëm për faktin se në krisovulën e tij gjatë sundimit gjakatar në gjysmën e parë të shekullit të 14- të gjendet për herë të parë i stamposur emri sllav “Tropojë”, që do të thotë “Triopolje” tre fusha por në shumë troje të tjera shqiptare por edhe për të ndriçuar fytyrën gjakatare të këtij Bin Ladeni të mesjetës, i cili kishte një urrejtje patologjike për shqiptarët, për gjuhën, besimin e historinë e tyre, aq sa zhdukjen e identitetit dhunën e genocidin ndaj tyre e shnderroj në qëllim të vetëm të jetës se tij duke e sanksionuar edhe në ligjet drakoniane që nxori për këtë mision, të cilat u kodifikuan në vitin 1349 në kanunin e tij që fshiu të drejtën zakonore shqiptare.”
“Edhe ata që mbrojnë variantin “Tre popat”, popat ortodoks sllavë ishin. E përmenda qysh në fillim stampën me hekur të skuqur, sepse këtë fat kishin paraardhësit tanë, të cilët nuk pranonin të braktisnin besimin katolik për të pranuar besimin ortodoks dhe nuk i nështroheshin pushtetit të tij barbar.”
“Gjakova e Malësia e Gjakovës në të dy anët e kufirit tashmë të shembur nga UÇK- ja e lavdishme përgjithmonë ka qenë bastion i pamposhtur i lirisë, identitetit, e krenarisë kombëtare. Emri “Tropojë” i vulosur nga Car Deçanski e Car Dushani e i bekuar nga regjimi komunist satelit i Beogradit nuk është identiteti ynë”, – thekson Azgan Haklaj. – “Arsyeja pse kërkohet ndryshimi i emrit është se “dardania Alpine, apo Malësia e Gjakovës është amaneti i të parëve dhe identiteti ynë. Ndryshimi i emrit është kthim në identitet. Kthimi në identitet është fillimi i bashkimit kombëtar dhe i krijimit të shtetit komb të shqiptarëve”.

Azgan Haklaj, autori i librit “Jam Dardan i Malësisë së Gjakovës!” fton qytetarët të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen me rëndësinë që ka rikthimi i emërtimit shqip, ndërsa pret që institucionet të krijojnë mundësinë e referendumit me qëllim që t’ju japin mundësi qytetarëve të shprehen.
“Shqiptarët dhe vëllezërit e mi të Malësisë së Gjakovës duhet ta dinë se erdhi koha për të kërkuar kthimin në identitetin tonë dhe bashkimin kombëtar.
“Nuk ndërrojnë emër as flamur, pa këndue qyqja kullë për kullë” ka qenë lejtmotivi i qëndresës sonë në shekuj, në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë për të mbijetuar.
Sot jemi të vendosur për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar dhe për t’i çuar para gjygjit të historisë ata që trojet e të parëve duan t’i tjetërsojnë, t’i shesin, të zhbejnë identitetin kulturor, të shterrojnë trashëgiminë shpitërore , t’i trafikojnë margaritarët e kulturës sonë e visaret e kombit, për të vënë në jetë ëndrrën e kahmotshme të krajlëve të vjetër e të rinj të Beogradit për të grabitur asetet e çmuara të pasurisë tonë shpirtërore të kombit tonë.”

Haklaj thotë se pas pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse kanë kaluar mbi 100 vite, janë bërë pak përpjekje për ndryshimin e toponimeve sllave. Ndër të paktët përpjekje është një dokument i qeverisë së Zogut, pak kohë para pushtimit fashist. Kjo sipas tij ngre dyshime se politikanët që kanë qeverisur Shqipërinë ose kanë rënë viktimë prej injorancës e politikave sllave, ose janë të shitur në Beograd.
“Çdo propozim me emërtim toponimin sllav’ është dhuratë në tepsi për Serbinë dhe Akademinë e tyre të Shkencave. Të mbash emrin e stisur Tropojë e të privosh Gjakovën nga Malësia e saj kreshnike është njësoj si të pranosh ta quash Rrafshin e Dukagjinit Metohi, Pejën Pec, apo Shqipërinë etnike Arrnautistan. Identiteti kombëtar i shqiptarëve është ADN- ja e rrënjosur thellë në genet e në gjakun e këtij kombi të lashtë e fisnik, është pasaporta e identitetit dhe memoria e tij historike” thekson Haklaj.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, – nënvizon Haklaj, – “ka si mision të shenjtë pikërisht ruajtjen e vlerave themelore historike e kulturore dhe promovimin e tyre brenda dhe jashtë vendit me qëllim që brezi i ri që nesër ka në dorë fatet e Atdheut ta dijë se kush janë paraardhësit dhe cila është historia, kultura dhe civilizimi që ata lanë pas.”