Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ndodhet këtë të martë në SHBA, aty ku pritet të ketë një takim të nivelit të lartë.
Zyra e shtypit në Departamentin Amerikan të Shtetit bën me dije se kreu i SPAK në orën 16:30 (22:30 me orën shqiptare) do të pritet në takim nga zyrtari i lartë i Byrosë për çështjet evropiane dhe euro-aziatike Brendan P. Hanrahan.
Takimi i nivelit të lartë që është përfshirë në agjendën zyrtare publike të DASH do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Kjo vizitë e Dumanit në SHBA vjen vetëm dy javë para se KLP të çelë (në datë 15 shtator) garën për drejtuesin e ri të SPAK, duke qenë se mandati i Dumanit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme përfundon në muajin dhjetor.
Kush është Brendan Hanrahan?
Brendan Hanrahan është zyrtari i lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike (EUR). Para se t’i bashkohej Departamentit të Shtetit, z. Hanrahan ka qenë investitor në kompaninë Bain Capital, në ekipin e kapitalit privat për Amerikën e Veriut, ku ka udhëhequr marrëveshje dhe ka bashkëpunuar me kompani në sektorët e shërbimeve për konsumatorët dhe bizneset.
Më herët, ai ka punuar si këshilltar për politika pranë Komitetit të Senatit për Biznesin e Vogël dhe Sipërmarrjen, në kohën kur ky komitet drejtohej nga senatori Marco Rubio. Karrierën e tij e ka nisur në McKinsey & Company, ku ka mbështetur klientë nga sektori publik dhe ai privat.
Z. Hanrahan është diplomuar në Harvard College (në nivelin Bachelor – A.B.) dhe mban një diplomë MBA nga Stanford Graduate School of Business.
