Derisa kryekuvendari Dimal Basha e konsideron të konstituuar Kuvendin, ekipi ligjor i Presidentes vazhdon të shqyrtojë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Por hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, i ka kërkuar Presidentes që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, ajo nuk duhet t’i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje mandatarin për formimin e qeverisë.
“Në këto rrethana, ne si IKD vlerësojmë se ajo nuk do të duhej ta bëjë një gjë të tillë, që t’i kërkojë VV-së mandatarin, por t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese nëse janë shkelur parimet e kushtetutshmërisë, garancitë kushtetuese për komunitetet jo-shumicë në Kosovë, për mënyrën dhe formën se si është proceduar me rendin e ditës.”
Ai ka paralajmëruar se, në rast të veprimit të Presidentes, mund të krijohet një situatë e rrezikshme nëse më vonë Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin dhe qeverinë e dalë nga ai.
“Në ndërkohë, se çka mund të ndodhë gjatë kësaj kohe, po presim dhe besojmë se do të marrë një masë të përkohshme, sepse dëmi mund të jetë i pariparueshëm në rast se Presidentja do të aktivizohet dhe do të kërkojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Sepse paramendoni situatën sikur të kishte një formim të qeverisë, dhe më pas Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë atë Kuvend, rrjedhimisht do të kishim një qeveri jokushtetuese nga një Kuvend jokushtetues.”
Lëndë në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e procedurave për zgjedhjen e nënkryetarit serb ka dërguar edhe Lista Serbe. Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, mbetet e paqartë nëse është konstituuar Kuvendi i Kosovës apo jo.