Ministrat për Çështjet Evropiane nga të 27 vendet e BE-së, të mbledhur në kryeqytetin danez Kopenhagen, kanë konsideruar Shqipërinë dhe Malin e Zi si shtete pararojë në procesin e zgjerimit. Brenda vitit 2029 Shqipëria shihet si anëtarja e 29 e BE-së.
“Për Shqipërinë mbeten ende dy grup-kapituj për t’u hapur së shpejti. Duke nisur me vitin e ardhshëm ne do të kemi mundësi që të përmbyllim disa prej tyre. Shqipëria po ecën shumë mirë me reformat e kërkuara, ndaj kam besim që mund t’i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027. Brenda mandatit të këtij Komisioni Evropian, në vitin 2029 Shqipëria do të mund të anëtarësohet me të drejta të plota në BE”, tha Marta Kos.
Komisionerja Kos i ka njohur pjesëmarrësit në këtë mbledhje edhe me rezultatet e sondazhit për zgjerimin, ku 91 për qind e shqiptarëve janë pro zgjerimit, shifër kjo më e larta në rajon.
56 për qind e shtetasve brenda BE-së e mbështesin këtë proces.