Gjykata e Apelit ka caktuar datën 8 shtator për të shqyrtuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, për ndryshim të masës së sigurisë.
Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, e ankimoi të hënën e 25 gushtit në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e Shkallës së Parë që e la në qeli. Avokati i tij Kujtim Cakrani shprehej për gazetarët se argumentet që Meta mund të intimidojë dëshmitarët nuk qëndrojnë dhe se SPAK s’ka sjellë prova për këtë pretendim, ndaj gjykon që ai duhej lënë i lirë.
Por në vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë, thuhej se rreziku për marrjen e provës vijon të jetë ekzistent, kjo pasi gjatë gjykimit do të kërkohet që të pyeten si dëshmitarë një sërë personash që bëjnë pjesë në subjektin politik ku i pandehuri është kryetar dhe se ai ende mund të ndikojë tek ta.
Kërkesat për ndryshim mase nga ish-presidenti janë bërë pasi hetimet janë mbyllur për të dhe dosja tashmë ka zbritur zyrtaisht në dyert e Gjykatës së Posaçme ku pritet që shorti elektronik të caktojë gjyqtarin e seancës paraprake.
SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin për disa vepra penale, mes të cilave korrupsion e pastrim parash, por ata i kanë mohuar akuzat duke e konsideruar hetimin si politik