Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të martë lirimin nga detyra të tre zëvendësministrave.
Nga posti i zëvendësministres së Turizmit dhe Mjedisit u largua Ilva Gjuzi, nga ai i zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u lirua Ceno Klosi, ndërsa Romina Kuko u shkarkua nga detyra e zëvendësministres së Brendshme.
Nuk dihen arsyet e lirimit të tyre nga detyra, por tre emrat e mësipërm janë deputetë të zgjedhur nga votimet e 11 majit.
Gjuzi dhe Kuko ishin në listat e mbyllura, përkatësisht në Tiranë dhe Korçë, ndërsa Klosi fitoi mandatin në qarkun e Fierit. Ai mori mbi 19 mijë vota duke qenë më i votuari nga lista e hapur në qark.
Ky vendim vjen para Asamblesë së Partisë Socialiste që pritet të mbahet më 11 shtator, ku kreu i selisë rozë, Rama pritet të shpallë kabinetin e ri qeveritar.







