SHBA-të ka pezulluar shumicën e vizave për personat me pasaportë palestineze, raportojnë mediat amerikane. Vendimi, i zbuluar përmes një kabllogrami diplomatik të datës 18 gusht dhe i cituar nga New York Times dhe CNN, u kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat jo-emigruese për të gjithë mbajtësit e pasaportës së Autoritetit Palestinez, përfshirë ata që udhëtojnë për biznes, studime apo trajtim mjekësor. Departamenti i Shtetit nuk e konfirmoi hapur masën, por deklaroi se “po ndërmerren hapa konkretë në përputhje me ligjin amerikan dhe sigurinë kombëtare”.
Ky zhvillim vjen disa ditë pasi rreth 80 zyrtarë palestinezë, mes tyre edhe presidenti Mahmoud Abbas, u penguan të merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, pas revokimit të vizave të tyre nga autoritetet amerikane. Më herët gjatë gushtit, SHBA-të pezulluan përkohësisht vizat për qytetarët që udhëtonin nga Gaza, ndërsa masa e re shtrihet edhe në Bregun Perëndimor dhe diasporën palestineze.
Administrata Trump, e cila ka mbështetur fuqishëm fushatën ushtarake të Izraelit kundër Hamasit, ka forcuar së fundmi qëndrimin ndaj palestinezëve dhe protestave pro-palestineze në kampuse universitare. Ndërkohë, disa aleatë të SHBA-ve, përfshirë Britaninë, Kanadanë dhe Francën, kanë shpallur planet për të njohur një shtet palestinez në kushte të caktuara, por Uashingtoni ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të ndjekë të njëjtin hap.