Me nga një deri në tre paga mujore do të shpërblehen të gjithë efektivët që kanë marrë pjesë në luftën kundër zjarreve. Qeveria shqiptare miratoi sot vendimin që i jep shpërblim efektivëve të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse.
Shpërblimi do të jepet në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit të tyre në operacionet e shuarjes së zjarreve gjatë verës së këtij viti.
Kujtojmë se disa ditë më parë, qeveria dekoroi me medalje “heronjtë” e luftës kundër zjarreve. Mes të dekoruarve me Yllin e Mirënjohjes Publike ishte edhe Komisar Agim Troci, i cili u plagos vetë pasi shpëtoi disa banorë të bllokuar nga zjarret.
Në total u dekoruan 23 efekektivë të policisë, zjarrfikseve dhe Forcave të Armatosura.
Gjatë stinës së verës, në Shqipëri u regjistruan shumë vatra zjarri. Disa prej tyre shkaktuan dëme të mëdha duke djegur shtëpi, banesa, stane, bagëti, ullishte etj.
Në operacionet e shuarjeve të zjarreve kanë marrë pjesë edhe avionë dhe helikopterë nga shtetet fqinje, por edhe Suedia e Emiratet. Qeveria ka premtuar një rishikim të Kodit Penal për zjarrvënien.
Njëkohësisht ka premtuar edhe rindërtimin e disa banesave të djegura si dhe kompensim për bagëtitë dhe gjedhët e djegura.







