Pesë kompani kanë ankimuar njëra pas tjetrës ditët e fundit një procedurë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) lidhur me shërbimin e internetit për vetë institucionin dhe ato të tjera publike.
Në Komisionin e Prokurimit Publik rezulton që për procedurën me objekt “ Shërbimi i internetit dhe intranetit për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe institucionet publike” janë dorëzuar ankesa nga: MC NETWORKING, ALBANIAN SATELLITE COMMUNICATIONS, VODAFONE ALBANIA, ONE ALBANIA, ABISSNET.
Tenderi me fond limit 486 milionë lekë apo rreth 5 milionë euro është ende në fazë prokurimi dhe mbyllet në datë 22 shtator teksa në ankimim specifikohet që arsyeja janë dokumentet e tenderit që në shumicën e rasteve lidhen me kushtet që përfshijnë ato.
Lloji i procedurës përfshin elementin e marrëveshjes kuadër teksa shërbimi parashikon një afat 730 ditë.
Tenderi
Në datën 22 gusht AKSHI çeli tenderin e ankimuar që sipas dokumenteve ka për qëllim ofrimin e shërbimit të Internetit dhe Intranetit për institucionin në secilën vendndodhje sipas kërkesave të përcaktuara në kontratë.
“Objektivi i Përgjithshëm i kontratës është instalimi, aktivizimi i shërbimit të Internetit dhe Intranetit për institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
Shërbimi do të ofrohet gjatë gjithë periudhës së kontratës , për këtë arsye secili operator ekonomik ka përgjegjësinë e garantimit dhe disponueshmërisë së shërbimit në cdo moment, duke ofruar mbështetje teknike , mirëmbajtje të linjave fizike konform SLA-së” thuhet në këto dokumente.
Shërbimi do të ofrohet në Institucionet shtetërore, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Prioriteti për implementimin e shërbimin do të vendoset sipas prioritetit të përcaktuar nga institucioni./Marrë nga Monitor