Java Kulturore Malazeze do të sjellë nga 8 deri në 11 shtator në Tiranë një mozaik të pasur arti, muzike, historie dhe kujtese kulturore.
Kjo javë shënon dhe fillimin e sezonit të dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2025.
Publiku do të përjetojë emocionet e një koncerti me piano të muzikës së dhomës, ku tingujt e instrumenteve krijojnë një atmosferë plot ndjesi.
Ekspozita e dokumenteve “Përfaqësitë Konsullore të Malit të Zi 1880-1914” na kthen pas në kohë, duke zbuluar dëshmi të rralla diplomatike.
Një tjetër ekspozitë sjell libra të vjetër, harta dhe kartolina që trajtojnë Shqipërinë e shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX, një udhëtim i veçantë nëpër kujtesë.
Shfaqja teatrale “Rasti i Virginia-s”, ngre pyetje të forta mbi shoqërinë, të drejtat dhe barazinë.
Nga muzika te arti skenik, nga dokumentet historike te librat e rrallë, Java Kulturore Malazeze fton publikun të zbulojë një përvojë unike që bashkon kulturën dhe historinë.
“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.