Shqipëria ka marrë për herë të parë drejtimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, një nismë kyçe e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin ndërrajonal.
Që nga 1 korriku 2025, kryesimi i Komitetit Monitorues i është besuar Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), me një mandat që do të zgjasë deri në dhjetor 2025.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria do të luajë një rol qendror në koordinimin e aktiviteteve të programit, duke organizuar dy ngjarje të rëndësishme: një takim parapërgatitor online në tetor 2025, i cili do të hedhë bazat për diskutimet mbi programimin e periudhës 2028–2034, dhe mbledhjen kryesore të Komitetit në Tiranë, në dhjetor 2025, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga 36 vende anëtare të programit.
Roli i Shqipërisë në “Interreg Europe” është rritur ndjeshëm vitet e fundit, me mbi 30 organizata vendore dhe 34 partneritete projektesh të fokusuara në fusha strategjike si tranzicioni i gjelbër, ekonomia blu, menaxhimi i qëndrueshëm i ujit, turizmi kulturor dhe inovacioni territorial.
Projekte si WATERADAPT, COAST CRAFT dhe NATUREFIN po japin një kontribut të rëndësishëm në përshtatjen e bashkive shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare.
Këto iniciativa kanë mundësuar bashkëpunime të ngushta mes institucioneve shqiptare, bashkive dhe partnerëve evropianë, duke sjellë përfitime konkrete për komunitetet lokale.
Ngjarja e nivelit të lartë e planifikuar për t’u mbajtur në Tiranë në dhjetor 2025 pritet të shërbejë si një platformë për të prezantuar progresin e arritur nga Shqipëria dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm të programit Interreg Europe.
Eridana Cano, Drejtoreshë e Përgjithshme e SASPAC, theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë: “Kryesimi i Interreg Europe është një tregues i rolit në rritje të Shqipërisë në vendimmarrjen evropiane dhe një mundësi për të nxjerrë në pah kontributin tonë në projekte konkrete me ndikim rajonal. Ne jemi të përkushtuar ta shfrytëzojmë këtë mandat jo vetëm për të avancuar rrugën tonë drejt BE-së, por edhe për të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët, bashkitë dhe komunitetet lokale.”