Ndryshon udhëzimi për riorganizimin e universiteteve; Aplikimi përmes e-Albania, rregulla të reja për vlerësimin Në rast ndryshimi apo riorganizimi për vitin akademik pasardhës, universitet në vend kanë afat deri më 30 dhjetor të dorëzojnë aplikimet në e-Albania.
Më pas do të jenë struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat dhe struktura përgjegjëse për arsimin e lartë në ministrinë përgjegjëse për arsimin që do të vlerësojmë aplikimet dhe ankimimet sipas risive të miratuara në udhëzim.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin që sjell ndryshime dhe shtesa në rregulloren ekzistuese për hapjen, riorganizimin dhe mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë, degëve dhe programeve të studimit.
Shtesat dhe ndryshimet në udhëzimin nr. 1, datë 14.1.2020, “Për dokumentacionin dhe procedurat për hapjen, riorganizimin dhe mbylljen e institucionit të arsimit të lartë, degëve të tyre, njësive kryesore dhe programeve të studimit, si dhe për ndarjen ose bashkimin e institucionit të arsimit të lartë”, i ndryshuar janë botuar në Fletoren Zyrtare.
Një nga risitë më të rëndësishme është shtesa e Kreut IV/1, i cili përcakton qartë procedurat e shqyrtimit të aplikimeve dhe ankimimeve nga strukturat përgjegjëse në ministri.
Në udhëzim përcaktohet se struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat do të shqyrtojë dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti, sipas formularëve të kërkesave në e-Albania për aspektet e përputhshmërisë ligjore.
Për të gjitha aplikimet, vlerësimet nga struktura për arsimin e lartë do të mbështeten në nevojat e tregut për programet e reja apo riorganizimet. Sipas udhëzimit gjithashtu ekspertë e jashtëm nga lista e Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL)-së do të përfshihen në vlerësimin përfundimtar.
Institucionet do të njoftohen për rezultatet e vlerësimeve brenda afateve të caktuara.
Në rast ankimimesh, parashikohen procedura të qarta dhe bashkëpunim me strukturat juridike për shqyrtimin e tyre.
Ndryshimet në udhëzim
Në udhëzimin nr. 1, datë 14.1.2020, “Për dokumentacionin dhe procedurat për hapjen, riorganizimin dhe mbylljen e institucionit të arsimit të lartë, degëve të tyre, njësive kryesore dhe programeve të studimit, si dhe për ndarjen ose bashkimin e institucionit të arsimit të lartë”, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimet si më poshtë:
a) Kudo në përmbajtje të udhëzimit, togfjalëshi “Ministria e Arsimit dhe Sportit” të zëvendësohet me togfjalëshin “Ministria përgjegjëse për arsimin”.
“1. Institucioni i arsimit të lartë ngarkon aplikimin në platformën e-Albania, për riorganizimin e IAL-së, sipas formularit përkatës në platformën e-Albania, brenda datës 30 dhjetor për vitin akademik pasardhës, i cili shqyrtohet në MAS”.
c) Pas kreut IV shtohet kreu IV/1, me përmbajtje si më poshtë:
“KREU IV/1 PROCEDURA E SHQYRTIMIT TË APLIKIMEVE DHE TË ANKIMIMEVE
Mbi bazën e aplikimeve në platformën e-Albania, struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat dhe struktura përgjegjëse për arsimin e lartë në ministrinë përgjegjëse për arsimin, vlerësojmë aplikimet dhe ankimimet, sipas përgjegjësive më poshtë:
1. Për të gjitha aplikimet e përcaktuara në këtë udhëzim, struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat shqyrton dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti, sipas formularëve të kërkesave në e-Albania për aspektet e përputhshmërisë ligjore.
2. Për të gjitha aplikimet e përcaktuara në këtë udhëzim struktura përgjegjëse për arsimin e lartë shqyrton aspektet përmbajtjesore të cilësisë së aplikimit, që lidhen me vlerësimin mbi nevojat e tregut, përputhshmërinë e kritereve dhe të standardeve të cilësisë, të kërkuara me ato të aplikimit.
Sipas vlerësimit, struktura përgjegjëse për arsimin e lartë mund të kërkojë informacione plotësuese mbi aspekte që lidhen me aplikimin brenda afateve të përcaktuara.
3. Struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat njofton subjektin për vlerësimin e aplikimit, pas vlerësimit të strukturës përgjegjëse për arsimin e lartë, sipas afateve të përcaktuara për secilën procedurë.
4. Struktura përgjegjëse për lejet dhe për licencat dhe struktura përgjegjëse për arsimin e lartë i propozojnë autoritetit përkatës ekspertët e jashtëm, nga lista e ASCAL-së.
5. Pas vlerësimit përfundimtar pozitiv nga ekspertët e jashtëm, struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat dhe struktura përgjegjëse për arsimin e lartë, i propozojnë autoritetit përkatës aktin sipas aplikimit të subjektit.
6. Në rastet e paraqitjes së ankimimeve, struktura përgjegjëse për lejet dhe licencat dhe struktura përgjegjëse për arsimin e lartë, në bashkëpunim me strukturat juridike ndjekin procedurat e shqyrtimit të ankimimeve, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi.”
2. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. /Monitor.al