Rreziqe të reja po shfaqen në horizont. Christine Lagarde ka bërë një paralajmërim të qartë për rreziqet që vijnë nga sektori financiar jo-bankar dhe zhvillimi i shpejtë i “stablecoin”-eve, duke paralajmëruar për mundësinë e krizave të likuiditetit që mund të destabilizojnë tregjet.
Në fjalimin hapës të konferencës së nëntë vjetore të Bordit Evropian për Rrezikun Sistemik (ESRB), presidentja e Bankës Qendrore Evropiane theksoi se inovacioni financiar nuk ka eliminuar rreziqet strukturore që godasin sistemin në mënyrë ciklike.
“Jehona e rrezikut mbetet e njohur: tensione likuiditeti, humbje të papritura besimi dhe ndërlidhje të fshehura. I njohim këto rreziqe. Dhe nuk duhet të presim një krizë për t’i parandaluar,” tha Lagarde.
Mesazhi kryesor i Lagarde ishte se qendra e gravitetit të financës evropiane është zhvendosur. Për dekada, monitorimi i bilanceve bankare mjaftonte për të kuptuar rrezikun. Sot jo më. Sektori jo-bankar është rritur në përmasa më të mëdha se ai amerikan në raport me PBB-në: 3.8 herë kundrejt 3.1 herë.
Fondet e investimeve, sigurimet, fondet e pensioneve, platformat fintech dhe aktorë të tjerë paralelë kanë zgjeruar transformimin financiar. Ndërlidhja me bankat mbetet e ngushtë, por ndarjet tradicionale nuk funksionojnë më.
“Vija ndarëse mes ‘bankave’ dhe ‘institucioneve jo-bankare’ është zbehur aq shumë sa që dallimi konceptual nuk është më i dobishëm,” tha Lagarde, duke theksuar nevojën për të parë përtej etiketave dhe për t’u fokusuar në aktivitetet reale.
ESRB prej kohësh mbështet një qasje “gjithëpërfshirëse”, që identifikon rreziqet kudo që shfaqen në sistem. Për Lagarde, rreziqet nuk janë kurrë vërtet të reja: kreditë, tregu, likuiditeti, sigurimi, rreziqe operative… janë konstante që rikthehen, edhe pse në forma të reja. Prandaj ajo këmbënguli në përdorimin e mjeteve të provuara: rezerva kapitali dhe likuiditeti, të dhëna të besueshme, infrastrukturë solide për të garantuar qëndrueshmëri.
Një shembull konkret janë “stablecoin”-et, asetet dixhitale të lidhura me një valutë ose një grup rezervash. Në pamje të parë duken si mjete të reja, por në fakt riprodhojnë dobësi të njohura për rregullatorët. Problemi kryesor është likuiditeti: emetuesit premtojnë rimbursim të menjëhershëm me vlerë nominale, edhe pse shpesh investojnë në asete të rrezikshme. Kjo dinamikë ka bërë që në të kaluarën disa fonde monetare të jenë të brishta ndaj panikut dhe tërheqjeve masive.
“Rreziku më i dukshëm është ai i likuiditetit. I njohim mirë sfidat e institucioneve që investojnë në asete të rrezikshme ndërsa premtojnë rimbursim të menjëhershëm dhe të plotë,” tha Lagarde.
Rregullorja evropiane për tregjet e kripto-aseteve (MiCAR) përpiqet të adresojë problemin, duke detyruar emetuesit të garantojnë rimbursim nominal për investitorët e BE-së dhe të mbajnë një pjesë të madhe të rezervave në depozita bankare. Por ka ende boshllëqe.
Lagarde paralajmëroi për “skemat me emetim të shumëfishtë”, ku një entitet evropian dhe një jashtë BE-së emetojnë së bashku “stablecoin”-e të shkëmbyeshme. Në rast paniku, investitorët do të kërkonin mbrojtje në juridiksionin evropian, ku mbrojtjet janë më të forta dhe tarifat të ndaluara. Por rezervat në BE mund të mos mjaftojnë për të përballuar kërkesën e përqendruar, duke krijuar një çekuilibër të rrezikshëm. “Këto skema riprodhojnë të njëjtat rreziqe që kemi parë në grupet bankare transnacionale,” tha ajo.
Lagarde theksoi se pa një kuadër global të unifikuar, përpjekjet e BE-së mund të jenë të pamjaftueshme. Financa, veçanërisht ajo dixhitale, ndjek rrugën e rezistencës më të ulët rregullatore.
“Legjislacioni evropian duhet të sigurojë që këto skema të mos operojnë pa regjim të fortë ekuivalence në juridiksione të tjera dhe pa garanci për transferimin e aseteve mes entiteteve të BE-së dhe jashtë saj,” tha Lagarde. “Kjo tregon pse bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm. Pa një fushë loje globale të barabartë, rreziqet do të kërkojnë gjithmonë rrugën më të lehtë.”
Referenca ndaj përvojave të fundit ishte e nënkuptuar, por e qartë. Nga “dash for cash” (shënim: një term financiar që përshkruan një situatë ku investitorët, bankat, fondet apo institucionet e tjera financiare përpiqen me ngut të shesin asetet e tyre për të marrë likuiditet (para në dorë ose të gatshme) në mars 2020, deri te krizat e bankave rajonale amerikane vitin e kaluar, çdo episod ka treguar sa shpejt mund të zhduket besimi dhe si tensionet e likuiditetit mund të përhapen. Tani i njëjti skenar rrezikon të përsëritet me kripto-asetet. Edhe pse ende margjinale krahasuar me financën tradicionale, “stablecoin”-et mund të marrin një rol më të madh në sistemet e pagesave dhe ndërmjetësimit, duke rritur ndikimin e tyre sistemik.
Për të përforcuar mesazhin, Lagarde përdori metaforën e një nëndetëseje që, falë sonarit, mëson të dallojë sinjalet e rëndësishme nga zhurma e sfondit. Po kështu, rregullatorët duhet të filtrojnë risitë e dukshme për të njohur rreziqet që rikthehen.
“Detyra jonë, si ajo e nëndetëses, është të dëgjojmë me kujdes dhe të ndajmë sinjalin nga zhurma,” tha ajo, duke cituar ekonomistin Charles Kindleberger: “Krizat financiare janë një bimë shumëvjeçare.”
Toni i Lagarde nuk la vend për dyshime: kriza e ardhshme mund të mos ngjajë me të fundit, por do të lindë nga të njëjtat linja. Dhe rreziku që të shfaqet në një sektor vetëm në dukje inovativ, si “stablecoin”-et, mbetet real. “Jehona e rrezikut mbetet e njohur,” përsëriti Lagarde. Dhe u kujtoi politikëbërësve të ESRB-së: “Nuk duhet të presim një krizë për t’i parandaluar.”