Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar këtë të enjte, 4 shtator, ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Si instanca më e lartë, vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Në përfundim të seancës që zgjati tetë orë, përfaqësuesi i PD, Franc Nuri, e akuzoi Kolegjin për standarde të ndryshme në kë zgjedhje dhe vuri në pikëpyetje dobishmërinë e ekzistencës së këtij institucioni. Sipas tij, nëse do të ketë reformë zgjedhore në të ardhmen, PD duhet ta shikojë qëndrimin e saj sa i takon ekzistencës ose jo të Kolegjit Zgjedhor.
“Ne kërkuam që Kolegji të shihte vendimmarrjen në çdo qark dhe ta shihte me lupën dhe sytë e tij, që me vendimin që ai vetë ka marrë vetë si Kolegj para disa javësh. Por sot edhe këtë nuk arritën dot ta bënin. Ne shohim që ka përdorim standardesh të ndryshme në këto zgjedhje, çka e minon jo vetëm besimin e publikut por edhe besimin e të gjitha palëve për procesin zgjedhor, për Kolegjin Zgjedhor në vetvete, dhe unë dyshoj fort mbi dobishmërinë e vetë Kolegjit si institucion tashmë. Nëse do të ketë reformë zgjedhore në të ardhmen, PD duhet ta shikojë qëndrimin e saj sa i takon ekzistencës ose jo të Kolegjit Zgjedhor. Sepse e kemi parë tashmë që në të gjitha këto vendimmarrje që janë marrë nuk e ka justifikuar ekzistencën e tij si trupë ad hoc për gjykimin e çështjeve zgjedhore”, tha Nuri.https://www.youtube.com/embed/l83dG44-Prg?si=COdpenfImuINv4S3
Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese PS me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh, duke vonuar për 4 muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit. Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës.
Partia Demokratike e dorëzoi ankimimin e saj ne date 1 shtator. Në kërkesën e saj pretendohej se gjatë zgjedhjeve janë vënë re fenomene të shpërdorimit të burimeve publike, intimidim të votuesve, patronazhim politik dhe ndërhyrje të grupeve kriminale në qarqet Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.
Sipas PD-së, rezultati i zgjedhjeve nuk ishte legjitim, pasi procesi i 11 majit nuk i ka përmbushur standardet kushtetuese e ligjore; procesi nuk ka qenë i lirë dhe i ndershëm dhe, për pasojë, nuk mund të prodhojë asnjë rezultat legjitim.
Tashmë pritet që Presidenti i Republikës të nxjerrë dekretin për të caktuar datën se kur do të nisë punën Kuvendi i ri, që me gjasë do të jetë 12 shtatori.