Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi sot një seancë publike, në të cilën u miratua plotësimi i vakancave në pesë këshilla bashkiakë, si dhe u trajtuan dy çështje që lidhen me procedura verifikimi të kandidatëve për zgjedhjet e kaluara.
Pesë këshilltarët e rinj bashkiakë
Në kuadër të detyrës ligjore për garantimin e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore, Komisioneri vendosi plotësimin e vakancave të krijuara në këshillat e pesë bashkive:
Bashkia Tiranë – Fatjon Bathorja, nga lista shumemërore e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u emërua si anëtar i ri i Këshillit Bashkiak.
Bashkia Dibër – Aida Murrja, nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Bashkia Vorë – Lavdurije Shahini, nga Partia “Fryma e Re Demokratike”.
Bashkia Belsh – Avni Shtylla, nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Bashkia Rrogozhinë – Dhurata Meka, nga “Partia Republikane Shqiptare”.
Emërimet janë bërë në përputhje me listat shumemërore të depozituara nga subjektet zgjedhore, në respekt të radhës së kandidimit dhe pa shkelje të kritereve ligjore.
Mbyllen dy procedura administrative për kandidatë të vetëdeklaruar
Gjatë seancës u shqyrtuan edhe rezultatet e verifikimeve të kryera nga Prokurori i Përgjithshëm për dy kandidatë vetëdeklarues:
–Euglen Gjini, kandidat për deputet në Qarkun Fier, i propozuar nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet – Adriatik Lapaj”, për zgjedhjet e 11 majit 2025.
–Ilir Mollaj, kandidat për anëtar në Këshillin e Bashkisë Mirditë, nga “Partia Lëvizja e Legalitetit”, për zgjedhjet e 14 majit 2023.
Në të dy rastet, Komisioneri vendosi mbylljen e procedurës administrative pa vendim përfundimtar, duke argumentuar se “ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës administrative të filluar përpara ditës së zgjedhjeve”.