Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Shkodrës mbrëmjen e sotme. Viktima është Kristian Kola, 34 vjeç, i cili u ekzekutua me armë zjarri pranë një lokali në lagjen “Vasil Shanto”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, kur dy persona ende të paidentifikuar, të maskuar dhe të veshur me të zeza, që lëviznin me motomjet, hapën zjarr ndaj 34-vjeçarit. Ai humbi jetën në vend, pa mundur të marrë ndihmë mjekësore.
Policia reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke mbërritur në vendngjarje dhe ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit. Janë duke u kryer kontrolle intensive në zona të ndryshme për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, është angazhuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Hetimet janë në fazë intensive dhe priten të dhëna të mëtejshme në orët në vijim.