Stilisti i njohur italian Giorgio Armani ka ndërruar jetë. Lajmi u konfirmua nga kompania e tij e modës këtë të enjte.
Stilisti i njohur italian Giorgio Armani ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Lajmi i hidhur u konfirmua nga kompania e tij e modës këtë të enjte, përmes një deklarate zyrtare për mediat.
“Me një dhimbje të pafundme, grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe motorit të palodhur të tij: Giorgio Armani” thuhet në deklaratë. “Zoti Armani, siç është quajtur gjithmonë me respekt dhe admirim nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët, u nda nga jeta në mënyrë paqësore, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur. I palodhshëm, ai punoi deri në ditët e fundit, i përkushtuar ndaj kompanisë, koleksioneve dhe projekteve të ndryshme që ishin në zhvillim e sipër.”
Homazhet për stilistin do të mbahen në Teatrin Armani në Milano, në adresën Via Bergognone 59, më 6 dhe 7 shtator, nga ora 09:00 deri në 18:00. Sipas dëshirës së tij, ceremonia mortore do të zhvillohet në formë private.
Kompania theksoi se do të vazhdojë misionin e tij me të njëjtat vlera që Armani përfaqësoi: pavarësi, vizion, pasion dhe përkushtim. Ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e modës dhe në kulturën italiane.
Armani ishte sinonim i stilit dhe elegancës moderne italiane. Ai kombinoi mjeshtërinë krijuese të një stilisti me aftësitë e një biznesmeni të suksesshëm, duke drejtuar një kompani me një qarkullim vjetor prej rreth 2.3 miliardë eurosh (2.7 miliardë dollarë).

Në punë deri ditët e fundit të jetës
Lajmi i ndarjes nga jeta të stilistit i surprizoi të gjithë, sepse, Armani kishte qenë duke punuar deri në ditët e fundit.
“Corriere Della Sera” shkruan se vetëm disa ditë më parë Armani njoftoi zyrtarisht blerjen e “La Capannina”, një veprim që e përshkroi si “emocional, një kthim tek rrënjët”. Kjo sepse pikërisht aty, në vitet ’60, ai takoi Sergio Galeottin, i cili u bë më pas partneri i tij në jetë dhe punë. Jo vetëm kaq. Pak ditë më parë ai dëshironte të kontrollonte dhe miratonte të gjitha veshjet e koleksionit për 50-vjetorin, koleksion që do të prezantohej në javën e modës në shtator.
Pak ditë më parë ai dëshironte të kontrollonte dhe miratonte të gjitha veshjet e koleksionit për 50-vjetorin, koleksion që do të prezantohej në javën e modës në shtator.
Disa javë më parë, pak para ditëlindjes së 91-të, një infeksion pulmonar e detyroi të qëndronte në spital dhe më pas në shtëpinë e tij në Milano, duke e detyruar të mungonte (një rast i rrallë) në shfaqjen e koleksionit të qershorit. Vitin e kaluar ai pati një problem shëndetësor, i cili u zgjidh; në shfaqjet e qershorit 2024, tre ditë pas daljes nga spitali, ai dëshironte t’i përshëndeste të ftuarit pas shfaqjeve. Në qershorin e kaluar, përkundrazi, zgjodhi të mos marrë pjesë në shfaqje, duke shtuar: “Por jam mirë.” Pas kësaj pasuan javë të qeta: ditëlindja e 91-të, ku mori me mijëra urime nga e gjithë bota e modës dhe jo vetëm; vendimi për të blerë Capannina-n; dhe, mbi të gjitha, puna e tij e dashur me rrobat.
Vera kaloi qetësisht për Armanin në shtëpinë e tij në Forte dei Marmi, me familjen. Ai ishte çdo ditë i zënë me punën dhe miqtë, duke kërkuar që ata të shkonin në vend të tij në vilën e Pantellerias, ku zakonisht kalonte verën, dhe ta informonin vazhdimisht. Vetëm pak ditë më parë pati një përkeqësim të lehtë për një shqetësim të papritur stomaku, por asgjë që të paralajmëronte diçka më të keqe. Ai kishte rifilluar të hante dhe të telefononte për t’u informuar për gjithçka. Sot erdhi lajmi për vdekjen e tij.
Një jetë në shërbim të stilit dhe elegancës
I lindur më 11 korrik 1934 në Piacenza, Giorgio Armani ishte më i vogli i tre fëmijëve. Ai nisi studimet për mjekësi, por pas tre vitesh, vendosi t’i përkushtohej pasionit për modën. Filloi punë në La Rinascente në Milano dhe më vonë u vu re nga Nino Cerruti, që i besoi drejtimin e një linje veshjesh. Në vitin 1975, bashkë me partnerin e tij të jetës dhe biznesit Sergio Galeotti, themeluan shtëpinë e modës Giorgio Armani, duke shpikur vetë konceptin e “stilistit“.

Armani solli një revolucion në botën e modës: ai “çmontoi” xhaketat tradicionale, lehtësoi veshjet për burrat dhe gratë, dhe i dha botës një elegancë të re: pa teprime, por me identitet të fortë. Ai vuri stilin mbi tendencën dhe krijoi një perandori që përfshin modën, parfumin, mobilimin, hotelet dhe artin.
Në vitin 1980, arriti sukses ndërkombëtar me veshjet për filmin “American Gigolo”. Vetëm dy vite më vonë, u shfaq në kopertinën e TIME Magazine, duke hyrë në historinë e modës dhe biznesit.

Një trashëgimi që nuk do të harrohet
Armani ishte më shumë se një stilist – ai ishte vizionar, menaxher dhe simbol i elegancës italiane. Pavarësisht humbjes së partnerit të tij Galeotti në vitin 1985, ai e mori drejtimin e plotë të kompanisë dhe e ngriti atë në një nga markat më të fuqishme të modës në botë.
Edhe në moshën 91-vjeçare, ai nuk reshti së punuari: vetëm pak ditë më parë, kishte blerë “La Capannina”, një vend që mbante vlera emocionale për të, dhe kishte miratuar personalisht veshjet për koleksionin e 50-vjetorit që do të prezantohej në javën e modës në shtator.
Përkundër përkeqësimit të lehtë të shëndetit, askush nuk e priste këtë fund. Ai kishte rifilluar aktivitetin dhe mbante kontakte të rregullta me ekipin dhe miqtë e tij.

E ardhmja e markës Armani
Giorgio Armani ka lënë një plan të qartë për të ardhmen e kompanisë së tij. Mbesa e tij, Silvana Armani, dhe partneri i tij besnik, Leo Dell’Orco, do të mbajnë gjallë vizionin dhe trashëgiminë e tij, sipas statutit të përcaktuar nga Fondacioni Armani.
“Stili është elegancë, jo ekstravagancë. Rëndësia është të mos të dallohesh, por të kujtohesh”, është një filozofi që Giorgio Armani e jetoi dhe e veshi botën me të. Ai do të kujtohet jo vetëm si një nga emrat më të mëdhenj të modës, por si një njeri që i dha formë shekullit të tij.