HomeKryesoreQeveria e re?! Rama zbulon surprizat, flet dhe për Veliajn, Sazanin, turizmin,...

Qeveria e re?! Rama zbulon surprizat, flet dhe për Veliajn, Sazanin, turizmin, mjedisin: Samitin e NATO do ta mbrojmë me dronë “Made in Albania”

spot_img

Pas mbylljes së pushimeve zyrtare, kryeministri Edi Rama rifilloi aktivitetin duke zhvilluar takime me ministra për përgatitjen e sezonit të ri qeveritar dhe Asamblesë Socialiste. Në këtë të fundit bëhen publikë edhe emrat e qeverisë së re, të cilët sërish duket se do të mbeten ekskluzivitet i kryeministrit.

I pyetur për datën, Rama konfirmoi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se do të jetë 11 shtatori. Sa u përket emrave, nuk zbuloi asnjë konkret, por do të jetë “qeveri e re” dhe përzierje e atyre me përvojë dhe e të rinjve. Për të është e rëndësishme që të reflektojë “vullnetin dhe aspiratat e 11 majit”. Qeveria e re do të ruajë baraspeshën mes grave e burrave.

Blendi Fevziu: A e ke gati qeverinë? E ke në kokën tënde se unë s’po të pyes për emrat se me siguri s’do ma japësh?

Edi Rama: Besoj që në datën 11.

Blendi Fevziu: Do të ketë ndryshime të mëdha?

Edi Rama: Shiko, një gjë është e sigurt që nuk pres të vijë njeri nga qielli. Njerëzit janë…

Blendi Fevziu: Do të jetë qeveri politike apo teknike më shumë?

Edi Rama: Qeveri politike janë të gjitha për sa kohë është qeveria e një partie…

Blendi Fevziu: Dakord, por e kam fjalën njerëz nga parlamenti apo do të vijnë njerëz nga jashtë që ushtrohen kryesisht përmes aftësive teknike që kanë?

Edi Rama: Ne kemi një mandat unik në aspektin që jemi e para forcë politike që ka 12 vjet eksperiencë qeverisëse të pandërprerë. Ky është një aset shumë i madh për ta përdorur sepse eksperienca e 12 vjetëve është e jashtëzakonshme. Ka një libër të famshëm Malcolm Gladwell që thotë “kush nuk i ka bërë 10 mijë orë punë në atë që bën, nuk e bën dot punën mirë” dhe kemi njerëz me shumë eksperiencë, kemi njerëz të tjerë që kanë më pak eksperiencë, por që mund të sjellin më shumë, kështu që në fund të ditës…

Blendi Fevziu: Pra do të kesh një miksim midis të dyjave?

Edi Rama: Në fund të ditës, qeveria do të jetë një përzgjedhje që do të reflektojë qoftë vullnetin e 11 majit, qoftë aspiratat e 11 majit, qoftë edhe ambicien time që ne të sillemi me arritjet si opozitë.

Blendi Fevziu: A do të ketë surpriza, emra të rinj që ne s’i presim se pritshmëritë janë brenda grupit parlamentar?

Edi Rama: Kam parë që duhen fshirë të gjithë, duhen sjellë ca të tjerë.

Blendi Fevziu: Secili ka mendimin e vet, po pyes realisht, a do të ketë surpriza?

Edi Rama: Do të jetë qeveri e re. Besoj që jo çdo ministër apo ministre e ka parë veten në këto thashethemet se ka edhe ndonjë që nuk është përfolur fare si mundësi që të jetë aty.

Blendi Fevziu: Do e ruash balancën midis grave dhe burrave?

Edi Rama: Po pa këtë ne nuk jemi Partia Socialiste.

Blendi Fevziu: A do të shmangen ministrat që ndiqen nga SPAK për të vazhduar karrierën politike në ekzekutiv?

Edi Rama: Nuk di të kemi ndonjë ministër që ndiqet nga SPAK-u me thënë të drejtën.

Blendi Fevziu: Çështje që SPAK-u mund t’i hapë në çdo moment.

Edi Rama: SPAK-u mund të hapë në çdo moment çfarë të dojë, ne do të vazhdojmë punën tonë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. Ai hodhi poshtë pretendimin e mediave italiane që thanë gjatë verës se ishulli i është shitur Jared Kushner-it, duke u shprehur se nuk është shitur e as nuk do të shitet asnjëherë. Ai tha se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty. 

“Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. As nuk është shitur dhe as nuk do të shitet asnjëherë. Ishulli i Sazanit është një pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar ku ne do të jemi partnerë. Qeveria shqiptare do të jetë partnere me kompaninë apo me grupin që do të investojë dhe negociatat e partneritetit nuk kanë mbaruar ende”, u shpreh Rama për gazetarin Blendi Fevziu.

I pyetur nëse marrëveshja për Sazanin do të kalojë në Kuvend, Rama u përgjigj: Padiskutim.

Ai shtoi se si Sazani dhe Zvërneci janë ende në projektim, duke theksuar se marrëveshja për ishullin e Sazanit nuk është përfunduar ende.

“Marrëveshja nuk është kryer akoma. Nuk e kemi akoma një marrëveshje të përfunduar për Sazanin. Zvërneci është histori private”, tha Rama.

Kryeministri mohoi që t’ia ketë dhënë “dritën jeshile” projektit pasi Donald Trump u zgjodh president. Arsyeja pse u bë publike pasi Trump mori detyrën, sipas tij, është vetëm për shkak se nuk ishte plotësuar procesi. Rama theksoi se mediat ndërkombëtare e kanë keqinterpretuar duke e paraqitur si histori politike duke nënvizuar se kjo çështje “nuk ka lidhje fare me politikë”.

“Ata kanë bërë një punë dhe është për të ardhur keq mënyra si është interpretuar nga mediat ndërkombëtare ky proces qysh në fillim. Është paraqitur si një histori politike. Ndërkohë që kur unë kam takuar Jared-in dhe ne kemi filluar të punojmë për këtë gjë, Donald Trump-i nuk dihej a do shkonte në Shtëpinë e Bardhë, apo do të shkonte në burg? Nuk ka lidhje fare me politikë kjo. Për mua ata kanë qenë investitorë amerikanë dhe janë investitorë amerikanë siç janë të gjithë amerikanët”, tha Rama.

I pyetur nëse do e jepte projektin nëse fituese në zgjedhjet në SHBA do të dilte Kamala Harris, Rama u përgjigj kështu:

“Unë e kam bërë këtë bisedë me palën tjetër kur jam pyetur. Këtu nuk mundet të ketë asnjë lloj diskutimi që Shqipëria nuk është një vend ku mund të transferohen çfarëdo lloj konfliktesh apo problemesh që mund të jenë midis palësh në Amerikë, pasi këtu çdo amerikan që vjen është mik dhe çdokush që do të investojë është i mirëpritur. Për më tepër raporti im me të ka qenë një raport shumë miqësor. Nuk ka pasur asnjëherë diskutim për këtë. Edhe kërkesa e tij dhe e grupit të tij dhe kërkesa jonë ka qenë simetrike. Çdo gjë duke respektuar ligjin dhe procedurat”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se për disa muaj do të jetë gati projekti i plotë që do t’i paraqitet publikut. Sipas Ramës, po bëhet një punë e madhe për ta kthyer Sazanin në një destinacion ëndrre.

“Procedurat nuk do të marrin gjatë sepse shumë hapa janë bërë. Besoj për disa muaj ne do kemi masterplanin e plotë, projektin e plotë që do t’i paraqitet publikut. Ajo që është më e rëndësishmja është që mënyra si po punohet do të vendosë një standard të ri për zhvillimet në infrastrukturën e mikpritjes, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mesdhe. Po bëhet një punë e jashtëzakonshme me arkitektë, me inxhinierë të mjedisit, me arkitektë të peizazhit. Po bëhet diçka për të bërë një destinacion ëndrre”, tha Rama.

Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama theksoi se modeli i ardhshëm i zhvillimit të turizmit në bregdet nuk do të jenë ato që i quajti si “kampe për refugjatët e pasur”. Ai theksoi se do të ulet intensiteti i ndërtimit masiv në zonën bregdetare dhe se do të kërkohet më shumë cilësi. Rama u shpreh se do të shihen me kujdes ndërhyrjet që do të bëhen në mënyrë që ato të shkojnë në funksion të një turizmi që sjell më shumë të ardhura dhe më pak dëme.

“Shumë shpejt do dalim me gjëra konkrete për mënyrën si do operohet më pas. Këto kampet siç mund t’i quaj tani, kampe për refugjatë të pasur, nuk do të jenë modeli ynë i mëtejshëm. Çdo gjë vjen me faza. Nëse tërhiqemi pak në kohë dhe shohim. Faza e parë, ka qenë Golemi dhe besoj se në atë kohë ishte si një gjë shumë më ekskluzive. Ndërkohë që sot ajo është një pjesë që i takon së shkuarës. Pastaj erdhi faza tjetër ku filluan disa ndërtime më cilësore, më të reja për Shqipërinë, por që nuk janë këto që janë Shqipëria 2030 dhe Shqipëria më pas. Tani do të futemi në një fazë tjetër ku do të kërkojmë shumë më tepër cilësi, do të ulim intensitetin e ndërtimit masivisht në zonën bregdetare. Do të vazhdojmë të zhvillojmë patjetër aty ku ka zhvillim dhe do të jemi shumë të kujdesshëm aty ku nuk ka zhvillim që çfarë ndërhyrjesh do të bëhen do të jenë ndërhyrje që do të shkojnë në funksion të një Shqipërie që ka një turizëm që sjell shumë më tepër të ardhura dhe shumë më pak ndotje, shumë më pak dëm”, tha Rama

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot më 4 shtator, se Rilindja Urbane 2.0 do të prekë edhe zhvillimet për turizmin. Theksi do të vihet tek mjedisi dhe ruajtja e parqeve natyrore.  

“Ajo që do të bëjmë tani është që siç ka filluar edhe në pjesën urbane që unë e kam quajtur Rilindja Urbane 2.0 do të fillojmë edhe në pjesën që ka të bëjë me zhvillimet për turizmin duke i vënë një theks të ri mjedisit, duke i vënë një theks të ri vëmendjes për ruajtjen e pjesëve të caktuara që mund të mos jenë parqe kombëtare, por mund të jenë parqe natyrore”, tha Rama.

Si shembull mori zonën e Porto Palermos, të cilën tha se qeveria e ka marrë në ruajtje pasi ka pasur interesa të mëdha. Ai tha se aty nuk do të ndërtohet dhe do të bëhen vetëm tre ndërhyrje, mes tyre për të bërë një muze të Luftës së Ftohtë.

“Një ndërhyrje që na ka ardhur si propozim nga një çift që jeton dhe punon në një lokal të vogël atje për të restauruar dhe mirëmbajtur ato tre-katër barake ushtarake. Pra është një çift që jeton dhe punon atje, për ta mirëmbajtur, për ta pastruar për ta ndriçuar. Një ndërhyrje për të bërë muzeun e Luftës së Ftohtë në tunel dhe një ndërhyrje ndoshta më pas për baraket në pjesën ushtarake, por pa ndërtuar resorte, vila. Mund të shtohet ndonjë sipërfaqe në funksion të tyre”, tha Rama.

Prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në qeli, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet për korrupsion.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ende nuk ka marrë një vendim nëse pas 7 muajsh nga burgosja e Veliajt, duhet që ta çojë bashkinë më të madhe në vend në zgjedhje të parakohshme apo jo.

Në lidhje me këtë temë, kryeministri Rama është pyetur gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, por përsëri nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

Ai shprehet se ende “nuk e di”, duke theksuar se së pari po diskuton me persona të tjerë se si duhet ta trajtojë këtë situatë.

A do të vijojë Erion Veliaj të jetë kryetar i bashkisë së Tiranë?

Nuk e di këtë do ta shohim në vijim, nuk e di.

Pra do të jetë zgjedhje të parakohshme në Tiranë, apo do të prisni derisa Gjykata të marri një vendim të formës së prerë?

Nuk e di. Unë kam kërkuar që të shikojë një sërë opinionesh për të kuptuar se si duhet trajtuar kjo gjë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular