Një familje është zbuluar në kultivimin e plantacioneve me hashash në zonën e Malësisë së Madhe, ndërsa dy persona janë arrestuar, u shpallën në kërkim dy vëllezër dhe nën hetim në gjendje të lirë po hetohet një grua.
Burime zyrtare të Policisë së Shkodrës bënë sot me dije se finalizuan fazën e radhës të operacionit të koduar “Koordinata”, ku u zbuluan 5093 bimë narkotike të kultivuara, në fshatin Alijaj.
Mësohet se në pranga ranë: Ermir Shabaj dhe Kadri Shabaj, 47 dhe 74 vjeç, të afërm mes tyre. Gjetja e parcelave u bë nëpërmjet mbikëqyrjes së territorit duke përdorur edhe dronët, përveç informacioneve të marra në rrugë operative.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. Sh., 47 vjeç, dhe K. Sh., 74 vjeç, banues në fshatin Alijaj. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja S. Sh., 57 vjeçe, dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Sh., 22 vjeç, dhe G. Sh., 25 vjeç (vëllezër), të afërm të gjithë me njëri-tjetrin”, bëri me dije policia në njoftimin zyrtar.