HomeRajoniNgërçi politik në Kosovë! Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo...

Ngërçi politik në Kosovë! Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë! Ja deri kur do të jetë në fuqi

spot_img

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator. Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiçin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiç nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.

Vendimi i Kushtetueses u publikua dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – të mbajë Këshillin e Përgjithshëm, ku pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër.

LVV-ja ka këmbëngulur që Kuvendi është konstituuar, vlerësim që është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.

Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill.

Pas muajsh bllokadë dy aktgjykime të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Dimal Basha nga LVV-ja u zgjodh kryetar Kuvendi më 26 gusht.

Më pas, përmes votimit të përbashkët u zgjodhën edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ngërçi politik erdhi pasi asnjë nga partitë nuk fitoi vota të mjaftueshme për të formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular