Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka pritur këtë të enjte në një takim ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, si dhe drejtuesen e Zyrës së Përfaqësimit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Tatiana Mrazikovën.
Pas këtij takimi, në një postim në rrjetet sociale, Spiropali u shpreh se kjo zyrë është “antena” e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor.
“Antena e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor tashmë në Tiranë! Një impuls shtesë për integrimin dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit, si dhe për lidershipin e Shqipërisë në këto procese. Me Ambasadorin e BE, Silvio Gonzato, dhe drejtuesen e Zyrës, Tatiana Mrazikova.”, tha kryetarja e Kuvendit.
E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, është takuar me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, sipas burimeve zyrtare. Pamjet e siguruar nga Euronews Albania, tregojnë momentin kur diplomatja shfaqet duke u larguar nga Kryesia e Kuvendit.
Ende nuk dihen arsyet e takimit, por ai duket se lidhet me nisjen e legjislaturës së re parlamentare. Javën e kaluar, VanHorn pati edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi me kryeparlamentaren vjen në një moment kyç politik dhe institucional. Kryeministri Rama pritet që më 11 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, të publikojë emrat e kabinetit të ri qeveritar, duke i dhënë fund dilemave mbi përbërjen e skuadrës së mandatit të katërt.
Nga ana tjetër, kalendari parlamentar është ende në pritje. Presidenti Bajram Begaj duhet të dekretojë datën e seancës së parë të parlamentit të ri, i cili sipas Kushtetutës duhet të mblidhet brenda 10 ditëve nga dita e parë e mundshme. Kjo nënkupton se 10 shtatori është data më e hershme për konstituimin e parlamentit, ndërsa afati i fundit është 20 shtatori.