Ulja drastike e komisioneve për transfertat elektronike shihet nga ekspertët si një hap i madh drejt modernizimit financiar. Ata thonë se masat do të lehtësojnë përdorimin e kanaleve digjitale, duke kursyer miliona euro çdo vit për qytetarët dhe bizneset, duke rritur kështu edhe elementet e sigurisë.
“Në vend që të përdorim detyrimin për konsumatorin që të përdorin instrumenta të tillë, do ishte më mirë që të bëhej e pamundura për reduktimin e kostove të këtyre transaksioneve. I redukton kostot në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me rregulloren për pikat e këmbimit valutor. Sipas ekspertëve, kushtet më të forta për kapitalin dhe reputacionin e pronarëve do të kufizojnë hyrjen e aktorëve të pasigurt, por kjo vendimmarrje duhet aplikuar edhe ndaj aktorëve aktualë të tregut.
“Kemi një numër më shumë se 600 zyra të këmbimit valutor që operojnë në treg, të cilat normalisht kanë nevojë për një mbikëqyrje më efikase për të parandaluar ato fenomenet e konsideruara si një farë ure drjet pastrimit të parave”, shtoi Gjergji.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë vendosi që të gjitha transfertat deri në 40 mijë lekë tashmë të kryhen pa komision, ndërsa për pagesat deri në 10 milionë lekë, komisionet të ulen me 10 herë. Po ashtu, për pagesat në euro, tarifat minimale dhe përqindjet janë rishikuar ndjeshëm.
Banka e Shqipërisë modernizon sistemet
e pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH.
Banka e Shqipërisë po modernizon sistemet e pagesave, duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset.
Përfitimet kryesore
Pagesat elektronike deri në 40,000 Lekë → pa komision për qytetarët
Komisionet për pagesat deri në 10 milionë Lekë → ulur gati 10 herë
Pagesat në Euro (€) → komisionet janë ulur rreth 10 herë
Pagesat në Lekë
Deri 40,000 Lekë → 0 komision
Nga 40,000 – 10,000,000 Lekë → 0.005% e vlerës, por jo më shumë se 500 Lekë
Mbi 10,000,000 Lekë → jo më shumë se 750 Lekë
Pagesat në Euro (brenda dhe jashtë vendit – SEPA)
Deri 100,000€ → 0.01% e vlerës
Mbi 100,000€ → jo më shumë se 25€
Transaksionet e mbërritura nga vendet SEPA → 0 – 3€ maksimumi
KUJDES!
Transaksionet e iniciuara në degë kanë komisione sa 2-fishi i atyre elektronike.
Efekti në ekonomi
Këto ndryshime pritet të kursejnë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare rreth 40 milionë euro në vit, duke krijuar një bazë solide për integrimin e vendit në SEPA dhe për implementimin e projektit TIPS Clone.
Nisma është përshëndetur nga partnerët ndërkombëtarë dhe po shërben si model rregullativ për suksesin e pagesave SEPA në rajon.
