HomeOP EDShkëlqimi dhe venitja e turizmit në Shqipëri…

Shkëlqimi dhe venitja e turizmit në Shqipëri…

spot_img

NGA XHEVAT MUSTAFA 

Më në fund, shumë vitesh nën efektin e ekstazës prej shifrave në rritje të vërtetë e të pasinqertë, të fryrë si tullumbacet apo si gomat e fuoristradave qeveritare ose të bosëve, në fillim të shtatorit 2025, Kryeministri Edi Rama, në një mbledhje me kryetarët e bashkive pranoi burrërisht apo mediatikisht dështimin e ri apo të radhës, atë në frontin e turizmit! Jo për vetëlavdërim e pa pikë kënaqësie se koha më dha edhe mua të drejtë, mund të them se këtë dështim e kam paralajmëruar qysh rreth 3 vjet më parë në opinione botuar në gazetat “Panorama” dhe “Telegraf”! Por, as lart në qeveri, sidomos në Ministrinë e Turizmit dhe as poshtë, nga pronarët e objekteve turistike të 3 niveleve nuk ua vunë veshin kambanave tona të alarmit! Për më tepër, nuk ndjenë as mirënjohje, edhe pse ishin krejt falas e me shqetësim të sinqertë qytetar. Tani mund të thuhet kushedi për të satën herë gjatë këtyre 80 viteve shprehja e moçme: koka bën, koka pëson! Apo, se kjo koka e plot shqiptarëve qenka më e fortë edhe se ajo e gomarëve!

Ndodhi kështu se lart në qeveri e poshtë tek oligarkët dhe pronarët e turizmit kishin iluzionin se 10 milionë turistët, përfshirë edhe milionët e shqiptarëve nga Kosova, MV, Diaspora… ishin syleshë e naivë, sa të mos reflektonin dhe reagonin ndaj përjetimeve të pakëndshme, tejet të kushtueshme e të paharrueshme në shumicën e plazheve të Shqipërisë! Së pari, duke i vënë vetë kryq për vitin e ardhshëm plazheve në Shqipëri. Së dyti, duke informuar për të vërtetat e hidhura nëpër to njerëz të tjerë, familjarë, kushërinj, komshinj, shokë, miq… Gjithashtu, ky lajm jo i gëzueshëm, i dalë edhe nga goja e Kryeministrit Rama, më kthen pas në kohë e përjetime si gazetar. Në plot raste, disa komentues, edhe të statuseve dhe të shkrimeve të mia, janë përmbytur nga mërzia, keqardhja, pakënaqësia… kur në shkrime ka pasur e vazhdon të ketë me bollëk fakte që lakuriqësojnë e kritikojnë mashtrimet, dështimet, gabimet, skandalet… e qeverisë qendrore e sidomos të Kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, nuk duhet bërë kjo, domethënë vënia e gishtit tek “të këqijat”, “plagët”, “njollat”, “moçalet”, “arnimet”, “mballomat”…, sepse kështu njollosen dhe dëmtohen imazhi turistik, sidomos gjatë muajve të pikut, në verë, por edhe imazhi politik, ekonomik, social, kulturor, demokratik… i qeverisë dhe vendit!

Gjithnjë sipas tyre, është më mirë që të mbyllen sytë, veshët, goja për të gjitha sa nuk shkojnë mirë dhe që meritojnë 100% të kritikohen edhe publikisht, sepse ndryshe “dëmtohen” bizneset turistikë e tregtarë, edhe kur në të vërtetë e në jetë vetë bosët e tyre ua bëjnë “naftën” apo gjëmën hotelrestoranteve të tyre. Format e kësaj “vetëvrasjeje” financiare e funksionale, që do të ndjehet në masivizim e vijimësi nga viti në vit, janë të shumta e të larmishme! Më së shumti, me çmimet e çmendura, për një kafe e shishe ujë; për një çadër e dy shezlongë, kur rreth 90% të plazheve të Spanjës e të Francës janë pa çadra e shezlongë me pagesë, por publike! Edhe nëpërmjet çmimeve stratosferike për një pjatë sallatë e supë, për një pjatë rizoto apo makarona me disa kokrra fruta deti, për një shishe apo gotë birrë e verë, për sjellje të kulturuar e pastërti…! Edhe nëpërmjet “harresës” 80- vjeçare të derdhjes së ujërave të zeza në shumicën e plazheve në bregdetet dhe bregliqenet e në lumenjtë e Shqipërisë, me derdhje në mes apo afërsi të plazheve!? Edhe nëpërmjet mungesës së ujit për higjienë në pjesën më të madhe të periudhës së pikut të sezoneve turistike! Edhe të niveleve shqetësues të ndotjes akustike e të ajrit, prej plehrave dhe betonit…! Edhe, edhe, edhe…

Nuk mund të përjashtohet prerazi se për këtë rënie drastike të turizmit në Shqipëri ka ndikuar edhe aksioni i ideuar dhe drejtuar personalisht nga Kryeministri Edi Rama për “zgjerimin e hapësirave publike”, në kulmin apo pikun e sezonit turistik, në fillimkorrik! Fadromat, gërmadhat, zhurmat e frikshme, pluhurat, sherret, deri të dhunshme pronarë-policë nuk mund të mos kenë shkaktuar te turistët e huaj dhe shqiptarë shqetësime dhe pakënaqësi! Merret me mend se duke mos qenë, siç i pandehin disa pushtetarë dhe bosë turizmi në Shqipëri, “syleshë” dhe “naivë” apo “të dashuruar marrëzisht” vetëm pas deteve dhe plazheve të Shqipërisë dhe duke e ditur mirë se ka edhe më të mirë e më të lirë në vende të tjera, ata u kanë vënë kryq pushimeve në Shqipëri qysh për vitin pasardhës. Po kështu, zhgënjimin e tyre e kanë përcjellë edhe te njerëz të familjeve, kushërinj, komshinj, shokë e miq… duke u dhënë këshillën: “Mos u besoni symbyllurazi reklamave nga plazhet e Shqipërisë, sepse realiteti është larg tyre”! Pra, kjo e keqe e re apo e radhës së gjatë është prodhim “Made in Albania” e jo si rrjedhojë e antireklamës për konkurrencë nga shtete me turizëm shumëfish më masiv e më cilësor, si Italia, Greqia, Turqia…!

Meqenëse këta predikues të heshtjes ndaj të këqijave dhe të metave, dështimeve dhe gabimeve të qeverisë së zemrës e të votës, ndaj “harresës” 80 apo 35- vjeçare të një bunkeri të madh me premtime Enveri, i kanë përsëritur disa herë thirrjet e tyre, mund të thuhet se kështu, pa apo me dashje, janë bërë pararendës edhe të Draft “Kodit të ri Penal”! Nga sa është e bërë publike dhe e kuptueshme, kjo sajesë e re në kuadër të përrallës Soros-Rama-KimMcGonigal-Manja-Rakipi… “Reformë në drejtësi” do të na dënojë me vite burg edhe për humorin ndaj Zeusit dhe ndaj “oborrtarëve” të tij! Prandaj, sot nuk mund të rri pa ua kujtuar se edhe ata bëjnë propagandë, “kur harrojnë” vetë apo bëjnë thirrje prej 80 vitesh që të harrohen ferri komunist apo enverian, premtimet e parealizuara, eksperimentet e çmendura me jetët e 2-3 milionë shqiptarëve dhe lista e gjatë e dështimeve gjatë 47 viteve të Enverit e të Ramizit!

Pastaj, edhe pse e kanë kujtesën shumë të fortë për ato që ka bërë e nuk ka bërë Saliu për vetëm 12 vjet, përkundër 69 viteve të partisë së tyre të zemrës, si është e mundur që “të harrojnë” se i gjithë viti nga fillimjanari deri në funddhjetor është periudhë turistike! Përndryshe nuk mund t’i jepet e drejtë kryeministrit të mburrej jo më larg se më 10 maj 2025 me shifrat 10- 11 milionë turistë në vit, duke “harruar” të bënte ndarjen se sa ishin turistë të huaj e sa shqiptarë!? Merret me mend se përse tifozëve të çmendur të Rama-qeverisë “nuk ua bën goja” ta thonë troç: lëreni të qetë si Enverin 47 vjet edhe Edi Ramën tonë, po aq të zemrës, mendjes e të votës, sa ai! Domethënë, troç apo popullorçe, “që t’ua bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve edhe ma shumë nanën dhe gjamën”!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular