Gjatë tri ditëve në vijim, ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë do të jenë në Tiranë për të marrë pjesë në Konferencën vjetore #Diplo2025.
Me titull “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, konferenca do të zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Ky është një pikëtakim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.
Diplo2025 do të zhvillohet në mjediset e Bankës së Shqipërisë (ish-hotel Dajti), ndërsa panelet e konferencës do të transmetohen drejtpërdrejt (“livestream”) në rrjetin social Facebook të MEPJ.
Eventi shërben si një pikëtakim strategjik për të përcaktuar vijat e politikës së jashtme shqiptare për dekadën e ardhshme dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare.
Kujtojmë se vitin e shkuar, Konferenca pati në fokus të diskutimeve procesin e integrimit evropian, forcimin e diplomacisë ekonomike dhe rolin e diasporës apo dhe modernizimin e shërbimeve konsullore.
Diskutimet nxorën në pah nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës, për të çuar përpara axhendën e reformave, sikundër edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ky i fundit u zhvillua në maj në kryeqyet.
Ndërsa Samiti i NATO-s, siç ka njoftuar edhe kryeministri Rama do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.