Monika Kryemadhi, përmes një videomontazhi kujton rrugëtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në 21-vjetorin e themelimit.
Me videon, ku shfaqet vazhdimisht themeluesi i kësaj partie, Ilir Meta, Kryemadhi uron ditëlindjen e LSI-së. Duke parë pas në kohë, ajo thotë se kanë fituar shumë sfida dhe beteja.
“21 vite nga një iniciativë e guximshme, e lirë dhe e sinqertë. Qindra e mijëra të rinj e të reja besuan dhe kontribuan për një realitet të ri dhe të vërtetë. Sfidat e panumërta, betejat e fituara edhe aty ku rrëzoheshim ngriheshim me dinjitet. Urime ditëlindjen LSI-sta”, shkruan Kryemadhi, krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.
Lëvizja Socialiste për Integrim u krijua në 6 shtator 2004, me sloganin si ‘parti e shpresës , që frymëzoi brezat e rinj për ndërtimin e një Shqipërie europiane’.
Megjithatë, që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Në vitin 2022, në Konventën Kombëtare të kësaj force, u vendos ndryshimi i logos dhe shkrirjes së të gjitha forumeve: LSI ndryshoi emrin dhe u quajt Partia e Lirisë.
Ndërkohë, kreu i partisë, u vu në pranga në tetor të vitit të kaluar nën akuzat për korrupsion dhe ndodhet në paraburgim. Tjetër ndryshim është raporti mes dy njerëzve më të rëndësishëm në parti, vetë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët vendosën t’i japin fund martesës dhe këtë vit firmosën divorcin.