Një fenomen mahnitës astronomik ka ndriçuar mbrëmjen e së dielës qiellin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. “Hëna e përgjakshme”, siç njihet ndryshe eklipsi total hënor, ka qenë e dukshme rreth orës 21:00, duke ofruar një spektakël të rrallë për të gjithë ata që e ndoqën nga oborret, ballkonet apo parqet e qytetit.

Pamja e Hënës së mbuluar nga hija e Tokës, që merr një ngjyrë të kuqe të errët, u pa me sy të lirë, pa nevojë për pajisje apo teleskopë.

Ky fenomen ndodh kur Hëna kalon në hijen e plotë të Tokës (umbra), dhe drita e diellit që kalon nëpër atmosferën e Tokës shpërndahet, duke lejuar vetëm rrezet e kuqe të arrijnë tek sipërfaqja e Hënës. Kjo është arsyeja pse ajo duket si një “top i kuq flakërues” në qiellin e natës.

Eklipsi u shfaq qartë në pjesën më të madhe të vendit, dhe shumë qytetarë ndanë fotografi dhe video të momentit në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin për këtë ndodhi të rrallë qiellore.

