Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e cilësoi ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Shkodër, me dy të vrarë dhe dy të plagosur në atentat, si një gjendje alarmante për sigurinë e vendit, ndërsa akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për situatën e kriminalitetit dhe lidhjen me të.
Reagimi i ligjvënësit të opozitës u bë nëpërmjet një deklarate për shtyp.
“Qyteti dikur simbol i kulturës, qytetarisë dhe humorit, është shndërruar nga Edi Rama në kryeqendrën e krimit të organizuar”, u shpreh Balliu. Ai theksoi se ngjarja vjen vetëm dy ditë pas vrasjes së Kristian Kolës dhe dhjetë ditë pas vrasjes së Piro Prronit, duke nënvizuar se Shkodra është goditur radhazi nga “masakra me të vrarë dhe të plagosur”, tha ai mes të tjerash.
Gjithashtu kujtoi edhe ngjarjet e tjera të rënda në vend, si masakra e Dobraçit, atentati i Memaliajt apo i ‘Don Boskos’ në Tiranë.
“Është e qartë se këto masakra janë produkt i drejtpërdrejtë i marrëveshjes së pushtetit me krimin. Bandat gëzojnë pushtet absolut pikërisht për shkak të mbështetjes që marrin nga politika,” deklaroi Balliu.
Ai paralajmëroi se Partia Demokratike nuk do të qëndrojë duarkryq dhe do të vazhdojë “betejën kundër mafies dhe narkopushtetit”. Balliu i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në atë që e quajti “përballje të vendosur me këtë qeveri kriminale, me çdo mjet demokratik”.
Në qendër të atentatit të sotëm ishte Erogen Vaso, i njohur edhe si Erogen Brajoviç, i cili sipas Balliut është një person me lidhje të njohura me grupin kriminal “Bajri” dhe vëllai i Denis Brajoviç, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit dhe përfshirë në përgjimet e aplikacionit të kriptuar “Sky ECC”.
Deklarata e plotë e Klevis Balliut:
“Partia Demokratike denoncon gjendjen e rëndë të sigurisë publike në vend, konkretisht në qytetin e Shkodrës.
Qyteti dikur simbol i kulturës, i qytetarisë, i humorit dhe i biçikletave, është shndërruar nga Edi Rama në kryeqendrën e krimit të organizuar.
Vetëm dy ditë pas vrasjes së Kristian Kolës në mes të qytetit dhe dhjetë ditë pas vrasjes së Piro Prronit, Shkodra u trondit nga një tjetër masakër me të vrarë dhe të plagosur. Shënjestra e autorëve këtë herë ka qenë Erogen Vaso (Brajoviq) vëllai i Denis Brajoviq, “doraci”-t të Pëllumb Gjokës, “Investitorit strategjik” të Edi Ramës. Emri i Denis Brajoviq ka dalë në përgjimet e Sky ECC teksa kryente vrasje për llogari të Gjokës.
Duhet theksuar se Erogen Vaso, (Brajoviq) një ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, është i njohur për lidhjet e tij me grupin kriminal Bajri. Vetë Vaso sipas raportimeve mediatike, ndodhet i shtruar në Spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë.
Nga kjo ngjarje e përgjakshme humbën jetën Armando Pali, punonjës i IMT, Geridon Kraja, shoferi i Erogen Vasos dhe u plagos një punonjëse e lokalit, shtetasja M.K., 25 vjeçe.
Kjo masakër ndodh vetëm pak muaj pas ngjarjes së njohur si “Masakra e Dobraçit”, ndërsa skenarë të ngjashëm të dhunës janë përsëritur edhe në qytete të tjera:
Në Tiranë, tek Don Bosko, u vra e ndjera Mimoza Paja dhe u plagosën disa qytetarë të pafajshëm, mes tyre edhe një vajzë vetëm 10-vjeçare.
Në Memaliaj, një atentat tjetër mes bandave i mori jetën punonjësit Gledian Muka dhe klientit Marsel Çela.
Është e qartë se këto masakra janë produkt i drejtpërdrejtë i marrëveshjes së pushtetit me krimin.
Pushteti absolut i bandave buron nga lidhjet e ngushta të bandave të narkotrafikut me politikën. Ky bashkëpunim po merr jetë njerëzish çdo ditë.
Kjo situatë është alarmante dhe rrezikon jetën e çdo shqiptari. Kjo situatë kërkon ndërgjegje kombëtare dhe përballje të vendosur me këtë qeveri kriminale, me çdo mjet demokratik, në mbrojtje të vendit dhe të familjeve.
Partia Demokratike do të vazhdojë betejën kundër mafies dhe narkopushtetit.
Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë betejë të përbashkët kundër së keqes”.







