Bojkotimi i jetës parlamentare nuk është një opsion për Partinë Demokratike.
Ndonëse zgjedhjet e 11 majit i quan farsë elektorale dhe fton Kryesinë të mos njohë zgjedhjet, Berisha thotë se në Kuvend nuk mund të ketë ‘mungesa’.
“Unë personalisht mendoj se në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lemë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj. Nëse ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do të ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturëm, organizatën që ka uzurpuar pushtetin. Secili mund të thotë kam bërë sa kam mundur. Jo, asnjë nuk ka bërë sa ka mundur. Kërkohet një ndryshim i farsës elektorale, kërkohet energji e re, forca dhe forma të reja. Nuk është më mirë të mos futemi në parlament. Në një diktaturë, duhet të falënderosh Zotin që të japë mundësi që ta luftosh atë“, tha Berisha.
Partia Demokratike do të mbledhë nesër në 13:00 Grupin Parlamentar. Kjo është mbledhja e parë e grupit pas disfatës së thellë më 11 maj dhe vjen një ditë pas mbledhjes së kryesisë.
“Përshëndetje miq. Nesër ne ora 13:00 zhvillojmë mbledhjen e parë të grupit parlamentar në selinë e Partisë Demokratike. Ju lutem merrni masa për pjesëmarrje”, thuhet në mesazhi e dërguar nga PD.