HomeEkonomiHapet tenderi për elektrifikimin e hekurudhës Durrës–Rinas–Tiranë

Hapet tenderi për elektrifikimin e hekurudhës Durrës–Rinas–Tiranë

spot_img

Hekurudha shqiptare ka hapur këtë javë tenderin për “Elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Tiranë (PTT) dhe lidhjen e re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”, i cili do të zhvillohet në dy faza.

Në këtë fazë nuk ka të dhëna mbi koston, por gjatë një inspektimi të zhvilluar në gusht për ecurinë e punimeve, zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se elektrifikimi parashikohet të kushtojë rreth 27 milionë euro.

Sipas detajeve të publikuara, faza e parë përfshin dorëzimin e propozimit teknik (pa çmime), ku përfshihen zgjidhjet teknike dhe informacioni mbi kualifikimet e kompanisë.

Pas vlerësimit, kompanitë e kualifikuara do të ftohen në një takim sqarues. Faza e dytë parashikon dorëzimin e propozimit të përditësuar teknik, me ndryshimet e kërkuara nga autoriteti kontraktor, si dhe ofertën financiare.

Elektrifikimi është një nga komponentët e këtij projekti që po zbatohet nga qeveria me mbështetje financiare nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Aktualisht, përveç trasesë së linjës hekurudhore, po punohet edhe për ndërtimin e stacioneve të kësaj linje, punime që nisën në fund të vitit 2021. Projekti ka hasur vonesa në fazat e para, kryesisht për shkak të shpronësimeve, por sipas përfaqësuesve të qeverisë, hekurudha Tiranë–Rinas–Durrës pritet të përfundojë si gjurmë brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Ky projekt fillimisht u financua me një kredi prej rreth 70 milionë eurosh nga BERZH, ndërsa në fillim të këtij viti qeveria kërkoi një shtesë prej 40 milionë eurosh për të mbyllur punimet.

Sipas qeverisë, kjo shtesë u kërkua për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, që e kanë shtuar ndjeshëm koston, ndërkohë që një pjesë e saj do të përdoret për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë–Durrës dhe degëzimi drejt Rinasit kanë një gjatësi prej 39 kilometrash. Trenat do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të ndërtohen 11 stacione përgjatë gjithë linjës./Marrë nga Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular