HomePolitikePas dorëheqjes si kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ja mesazhi...

Pas dorëheqjes si kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ja mesazhi dërguar vartësve dhe letra për kryeministrin

spot_img

Një ditë para Asamblesë së Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet qeveria e re, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja e Dredhës vjen në një moment kyç për Partinë Socialiste, e cila po përgatitet për prezantimin e kabinetit të ri qeverisës dhe rifokusimin e axhendës politike për mandatin e ardhshëm.

Nuk dihen ende arsyet e sakta që çuan në këtë vendim të papritur, por kujtojmë që kohët e fundit, Dredha është vendosur në qendër të kritikave nga kryeministri Edi Rama.

Debati më i fundit ka qenë në muajin korrik në lidhje me lirimin e hapësirave publike në qytet.

Teksa vizitoi lagjen e vjetër Muradie, kreu i qeverisë kritikoi kreun e bashkisë duke iu drejtuar “Shiko çfarë ka bërë ky, e ka zaptuar të gjithën. Aty nuk ka më asgjë”.

Ndërkohë një tjetër debat mes tyre ka pasur në qershor, me rastin e ditëlindjes së 34 të PS.

Menjëherë pasi mbajti fjalimin, ku nuk kurseu as disa batuta për të pranishmit, Rama zbriti për të takuar disa prej socialistëve që ishin mbledhur para selisë rozë, por takimi me Dredhën duket se nuk ka qenë aq i qetë.

Debati mes tyre është kapur në kamera ndonëse nuk dihet se çfarë i ka thënë Rama, apo për çfarë mund ta ketë “qortuar”.

Ermal Dredha mori detyrën si kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka një mesazh falenderimi për punonjësit e tij. Ai u ka dërguar një mesazh ku shpreh falenderimet e tij për bashkëpunimin mbi 2-vjeçar dhe kërkon njesë që po e ndërpret punën në mes.

“Faleminderit dhe ndjesë që po e lë këtë rrugëtim në mes, por sinqerisht, për mua ka qenë privilegj & kënaqësi t’ju shërbej, edhe pse jo të gjithëve kam arrit t’jua zgjidh hallet! Duke ju uruar më të mirën juve dhe familjeve tuaja, me shumë respekt, Ermali“, thuhet në mesazhin e dërguar.

Ermal Dredha ka regauar pas dorëheqjes si kryebashkiak i Vlorës.

Ermal Dredha

Të nderuar qytetarë të Vlorës,

Me mirënjohje dhe përulësi, për gjithçka ndamë bashkë përgjatë këtij rrugëtimi, bashkë me falenderimet e pafundme për çdo mbështetje, po ndaj me ju letrën time të dorëheqjes!

Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike sepse e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është që Vlora do të jetë gjithnjë e para në zemrën time! 

I nderuar z. Kryeministër,

Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.

Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.

Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.

Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.

  1. Kryeministër,

Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.

Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët.

Me respekt të thellë,

Ermal Dredha

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular