Nga Kristi A. Thanasi
Kjo ishte Shqipëria në Marsin e vitit 1997. Një vend i copëtuar mes dhimbjes dhe urrejtjes, frikës dhe shpresës, nderit dhe tradhtisë. Një komb që vështroi veten në pasqyrën e ferrit dhe nuk e njohu më.
Libri ndërthur tregime e novela së bashku, duke rrëfyer ndër to tmerret e një kohe të largët e fort të mallkuar. Libri është tejet emocional, duke rrëfyer kryesisht copëza tmerri që i përkasin një kohe të kobshme, siç qe viti i mbrapshtë 1997, që për tërë Shqipërinë la plagë të pashlyeshme në shpirt, duke tjetërsuar kështu një komb të tërë.
Aty tregohet jeta me zërin e të vuajturve, e atyre që refuzuan të tradhtonin idealet në një kohë të errët, ku kushdo do ta shihte si zgjedhje të zgjuar braktisjen.
Po a vlen jeta më shumë se ajo çka lë pas? Se toka që të pa të rritesh? Se të dashurit e zemrës? Disa e treguan trimërisht se jeta është vetë sinonimi i peshës së nderit dhe qëndruan denjësisht . Jo për të kryer detyrën formale , por për të kryer detyrën njerëzore: për të vënë kokën butësisht në krevat dhe, përveç tmerreve që u ofronte jeta, të mos ishin të detyruar të duronin turpin.
Ndaj qëndruan, që në një tjetër kohë të jenë dëshmia e gjallë e një terrori që merrte para ç’të gjente. Libri flet se si njerëz të ndershëm u detyruan të ktheheshin në çka s’do kishin imagjinuar kurrë, vetëm se s’kishin më zgjedhje tjetër. Të tjerë refuzonin me forcë atë çka koha u impononte, por ata që mbetën, mbetën për të rrëfyer atë që disa duan ta harrojnë e disa e kujtojnë me frikën se mos përsëritet.
Lexojeni, dhe bashkë me dhimbjen aty do gjeni anën më të prekshme të shpirtit njerëzor. Secili është i bërë prej mishi e gjaku, dhe kohë të tilla e diktojnë më së shumti këtë.
Aty flitet për dashuri të hedhura tutje dhunshëm, për njerëz të thjeshtë që donin të jetonin si e meritonin: qetësisht, pa shqetësuar një mizë, por që s’i pyeti kush se ç’donin; për njerëz të ligjit që donin të kryenin misionin që jeta u kishte besuar. Por mbi të gjitha, flet për shpirtin njerëzor që qëndron stoik edhe në furtunat më të egra të fatit.
Bëjini një nder vetes dhe mos e lini pa lexuar.