Pas gati një dekade, për herë të parë që prej vitit 2016, Qeveria Shqiptare ka miratuar kostot e reja të ndërtimit të banesave, në përputhje me realitetin aktual të tregut.
Vendimi është marrë mbi bazën e një propozimi nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, (MEKI) në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave.
MEKI bën të ditur se, kjo është një masë strategjike që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, sidomos ata që përfitojnë nga programet e strehimit social.
Sipas këtij vendimi: kostoja mesatare e ndërtimit për vitin 2025 është vendosur në 56,491 lekë/m² për sipërfaqe shfrytëzimi, në nivel republike; për çdo qytet janë përcaktuar vlerat specifike të ndërtimit; në rast mungese të të dhënave për një qytet të caktuar, do të përdoren vlerat e qytetit më të afërt; në rast të ndryshimeve të çmimeve sipas manualit të integruar të çmimeve të ndërtimit, të dhënat e gjeneruara nga e-Albania do të kenë përparësi ndaj kostos mesatare të miratuar.
MEKI thekson se kjo do të thotë për qytetarët: transparencë më e madhe në projektet e ndërtimit; standardizim i kostove në nivel lokal dhe kombëtar; siguri për familjet që përfitojnë nga programet e strehimit social; planifikim më i drejtë dhe efikas i investimeve publike në sektorin e banesave.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përmirësimit të politikave sociale të strehimit në Shqipëri.
