Kryeministri Edi Rama ka njoftuar reformim dhe riorganizim të disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, përfshirë edhe Kuvendin.
Në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama propozoi uljen e numrit të deputetëve në Kuvend në 101 nga 140 që ka aktualisht, duke shtuar se mirëpret diskutimet për ta ulur edhe më shumë numrin e ligjvënësve në parlament.
“Jemi në dekadën vendimtare të bashkimit përfundimtar me familjen europiane. Duhet një cikël i ri reformimi për disa institucione të rëndësishme, ndër të cilët, pa dyshim, edhe Kuvendi i Shqipërisë. Pas 10 legjislaturave, e para gjë si rrallëgjë që gjen dakord çdo shqiptar është tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë. Edhe më pak, bujrëm ta diskutojmë, do të kishte impakt pozitiv. Ky ndryshim kushtetues duhet të jetë një objektiv i yni. Kuvendi i Shqipërisë miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet, nuk ka pavarësi financiare, nuk ka status të deputetëve të vet dhe madje është pa shtëpi. S’ka një shtëpi që të garantojë praktikën, por edhe estetikën e një parlamenti të një shteti anëtar të BE-së. Ligji organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit duhet të jetë një objektiv i vitit hyrës të legjislaturës së re”, tha Rama.
Po ashtu, ai tha se do të ketë edhe një godinë të re ku do të zhvillohen seancat plenare.
“Kryesia e re dhe qeverisja e re t’i vënë vetes detyrë të posaçme kalimin e seancave plenare në një godinë të re e të denjë për një shtet anëtar në BE, ku Parlamenti s’mund të mblidhet në një ngrehinë e lodhur sovjetike të mobiluar me shijen e rraskapitur të PD-së. Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë të ngrihet në nivel tjetër funksionimi dhe menaxhimi“, theksoi ai.
Rama propozoi vijimin e reformës territoriale të nisur një dekadë më parë, siç tha ai, për të reflektuar ndryshimet demografike që ka pësuar vendi gjatë viteve. Kreu i qeverisë tha se do të ngrihet pa humbur kohë një komision i posaçëm parlamentar, ndërsa kjo do t’i nënshtrohet edhe konsultimit publik.
“Së treti, pas 10 vitesh nga reforma administrative territoriale, koha ka sjellë nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale, prandaj duhet të ngremë pa humbur kohë komisionin e posaçëm parlamentar për të nisur nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme, duke reflektuar ndryshimet domethënëse nga demografia te teknologjia. Komisioni i kësaj reforme duhet të ngrihet dhe të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke filluar me një konsultim të gjerë publik dhe duke i ftuar edhe forcat e tjera parlamentare të japin kontributin e tyre, po deshën. Ne do të jemi gati t’i dëgjojmë të gjithë, por nuk do jemi të gatshëm të presim këdo, qoftë as edhe një minutë nëse nuk do të dojë të punojë së bashku, qoftë për këtë reformë apo për tjetër reformë”, tha Rama.
Po ashtu, ai kërkoi edhe një reformë zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. Ai theksoi domosdoshmërinë për një depolitizim të administratës zgjedhore dhe nevojën për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve “në një kohë normale”.
Një tjetër ndryshim thelbësor, sipas Ramës, është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
“Së katërti duhet ngritur komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore, duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Ka ardhur koha të marrin përparësi depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultateve në një kohë normale për një vend anëtarë të BE. Ne jemi specie unikale në Europë. Së pesti, një tjetër nevojë thelbësore është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Për të reflektuar në atë ligj standardet e vendosura nga vendimet e Kushtetueses të cilat kanë mirë përcaktuar kufijtë e kompetencave rolet e shumicës dhe pakicës parlamentare, si edhe balancat mes të drejtës së shumicës për të qeverisur dhe të drejtës së pakicës për të kontrolluar qeverinë”, deklaroi Rama.