Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka mandatuar kryesocialistin Edi Rama për herë të katërt si kryeministër. Rama mbërriti në Presidencë në mesditë, për të kërkuar nga Begaj mandatimin e qeverisë së re, sipas protokollit.
Në nenin 2 të dekretit të Presidentit të Republikës shkruhet: Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”.
Sipas procedurave, sekretari i Përgjithshëm i PS-së ka dërguar emrin e kryeministrit në Presidencë. Më pas, është kryeministri që paraqet emrat e kabinetit të ri në Presidencë.
Pasi presidenti merr kërkesën, ka 6 ditë kohë për të bërë dekretimin dhe do duhet të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat.
Ditën e hënë, pritet që të mbahet seanca e radhës parlamentare, ku Kryeministri rama do të prezantojë programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, ndërsa do të votëbesohen edhe ministrat e rinj.
Më tej, pas seancës së votëbesimit në Parlament, zhvillohet ceremonia e betimit të qeverisë së re.
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella””, thuhet në dekret.

Presidenti Bajram Begaj emëroi ditën e sotme, Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë. Por përveç këtij vendimi, kreu i qeverisë, ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella.
Rama e shpalli gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste planin që Diella të jetë ministre dhe fokusin e punës do ta ketë në prokurimet publike. Lajmi bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare të cilat thonë se Shqipëria nuk do të ketë vetëm një ministër për Inteligjencën Artificiale, por njëkohësisht ministër nga Inteligjenca Artificiale.
Por duket se kundër kësaj ideje është opozita. Gazment Bardhi, i cili është kryetar i grupit parlamentar të PD-së, e konsideroi qesharak dekretin e presidentit Begaj.
“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”, përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës”, tha Bardhi.
Sipas tij, ministër mund të emërohet një shtetas shqiptar që i ka mbushur 18 vjeç dhe është i aftë mendërisht.
“Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë”, tha Bardhi.
Presidenti Bajram Begaj sqaroi se sot ka dekretuar vetëm kreun e qeverisë, ndërsa ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme. Po ashtu ai thekson se dekretimi i kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje.
“Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene”, u shpreh zyra për shtyp e Presidencës duke i kthyer përgjigje edhe komenteve të Bardhit.
Pa marrë ende detyrën, Diella po bëhet ministrja më e përfolur. Madje kryeministri Rama njoftoi se me të pati një bisedë teksa në Kuvendin që nisi sot pati debate me opozitën.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon”, tha Rama.
Kush është Diella?
Diella “lindi” këtë vit. Ajo u lançua në fillim të vitit si një asistente virtuale në platformën e-Albania duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore.
Ajo është veshur me veshje tradicionale dhe ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike duke reduktuar vonesat burokratike.