Harta e Shqipërisë do të ndryshojë. Territori i vendit do të ndahet në rajone të reja dhe numri i bashkive pritet të reduktohet.
Pas 10 vjetësh nga reforma administrative -territoriale, kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se ka ardhur koha për rishikimin e saj, kjo nisur edhe nga të dhënat që prodhoi Censi i 2023.
Sipas këtyre të dhënave, në 12 vitet e fundit popullsia shqiptare është tkurrur me afro 400 mijë banorë dhe aktualisht në vendin tonë jetojnë rreth 2.4 milionë banorë.
Reforma administrativo-territoriale u ndërmor në vitin 2014, pikërisht për shkak të efekteve që kishin prodhuar ndryshimet demografike, sociale dhe ekonomike, të cilat i nxori në pah Censi i vitit 2011, ku popullsia e Shqipërisë rezultonte në rënie në raport me vitin 2001.
Për këtë arsye, duke qenë se shumë njësi ishin tkurrur dhe nuk kishin aftësinë për të ofruar shërbime, qeveria vendosi uljen e njësive të vetëqeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki, duke u dhënë mundësinë njësive të reja që të kenë nën menaxhim territore më të mëdha, numër më të lartë popullsie, në mënyrë që të rritej aftësia për të administruar taksat, për të mbledhur të ardhurat dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve. Qëllim tjetër ishte ulja e kostove.
Por tashmë një dekadë pas kësaj reforme, Shqipëria gjendet në të njëjtin udhëkryq. Për shkak të fenomenit të emigrimit, bashkitë kanë humbur popullsi duke u tkurrur në mënyrë të ndjeshme. Referuar censit 2023, 14 nga 61 bashki kanë nën administrim një popullsisë prej më pak se 10 mijë banorësh, ndërsa 5 bashki kanë më pak se 5 mijë banorë, të tilla si Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konsipoli, Fushë-Arrësi.
Të dhënat nga pushteti vendor tregojnë se këto janë bashki të dobëta ekonomikisht pasi me të ardhurat që mbledhin nuk arrijnë të përmbushin funksionet e tyre kryesore duke lënë kështu pa shërbime dhe investime të mjaftueshme qytetarët. Në këto kushte, kur kërkohet më shumë mbështetje financiare nga ana e qeverisë, sfida e radhës është se si këto njësi mund të bëhen të qëndrueshme ekonomikisht dhe a do të ishte zgjidhja më e mirë reduktimi i tyre?
Të dhënat tregojnë se pavarësisht se të ardhurat e pushtetit vendor kanë pësuar rritje në këto vite, rrija nuk është proporcionale, por e përqendruar më së shumti në bashki të mëdha dhe bregdetare, ndërsa po ashtu, shpenzimet janë rritur ndjeshëm, dhe kryesisht shpenzimet për pagat e personelit dhe ato operative, ndërsa investimet janë në nivele shumë të ulëta, mesatarisht 20 %.
Ndërkohë që sfidë reale e pushtetit vendor është edhe mire përgatitja për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku është e domosdoshme të rritet cilësia e proceseve dhe shërbimeve të qeverisjes vendore.
Pra një reformë re synon të sjellë administrim më të mirë të territorit, bashki financiarisht më të qëndrueshme dhe shërbime më të mira.
Për këtë arsye do të ngrihet një komisionin i posaçëm parlamentar, për të nisur menjëherë nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve që nga demografia, tek teknologjia. Kjo reformë do të ketë një konsultim të gjerë publik ku do të marrin pjesë të gjitha palët. Scan